Mbeturinat skaj rrugës drejt bjeshkëve të Rugovës, Pejë. Foto: Kallxo.com
Një Qytetar ‘Prodhon’ 223 Kilogramë Mbeturina në Vit
Agjencia e Statistikave publikoi të dhënat për mbeturinat e mbledhura në Kosovë gjatë vitit 2016.
Në publikimin “Anketa e Mbeturinave Komuna 2016”, u konstatua se komunat grumbulluan 395 mijë e 291 tonë mbeturina vitin e kaluar.
“Në Kosovë, të dhënat e vitit 2016 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale të grumbulluara ka qenë 223 kg për banor në vit. Kurse, mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ka qenë 0.61 kg (mbeturina/banorë/ditë)”, thotë komunikata.
Ndërkaq, vetëm në Prishtinë dhe rajonin e saj, grumbullimi i mbeturinave komunale ka qenë 0.60 kilogram për banor në ditë.
Kurse, në rajonet e tjera të Kosovës, sasia e mbeturinave komunale të gjeneruara për banor në ditë ka qenë 0.61 kg apo 289 mijë 440 tonë të grumbulluara të mbeturinave.
Në krahasim me vitin 2015 grumbullimi i mbeturinave u rrit rreth 30 për qind. Në vitin 2015 u grumbulluan 319 mijë e 34 tonë bërllok, përderisa në 2016-ën sasia u rrit në 395 mijë e 291 tonë.
Sipas ASK-së, në 2015-ën mesatarja e mbeturinave në ditë për kokë banori ishte 0.48 kg përderisa në 2016-ën kjo u rrit në 0.61 kg.
Përveç sasive të grumbulluara të mbeturinave në komunat e kosovës të pasqyruara përmes statistikave të ASK-së këto komuna vazhdojnë të ballafaqohen me mbeturina të shpërndara nëpër territorin e tyre.
Nga hulumtimet e bëra nga ekipi i KALLXO.com, Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar gjendjen në të cilat janë komunat e vendit.
“Frymëmarrja” pranë mbeturinave në parkun e Gjilanit
Lumenjtë Nerodime dhe Lepenc të qytetit të Kaçanikut po shërbejnë edhe si “deponi” për hedhjen e mbeturinave. Nga hedhja e mbeturinave nuk janë kursyer edhe fshatrat e Kaçanikut, përkundër vendosjes së tabelave për ndalimin e kësaj dukurie. Janë identifikuar rreth 35 deponi ilegale të bërllokut.
Mbeturinat në parkun e qytetit të Gjilanit pothuajse kanë filluar të “lëvizin” nëpër hapësirën e përreth, pasi shportat janë të stërmbushura dhe bërllok gjithandej për pushuesit në park. Deponi të mbeturinave janë parë para Shkollës së Mesme të Bujqësisë, madje edhe në oborrin e bibliotekës së fshatit Malishevë.
Problem me mbeturinat ka edhe Komuna e Deçanit. Në këtë komunë janë identifikuar rreth 30 deponi ilegale të mbeturinave. Inciativa për pastrimin e tyre janë parë para fushatës zgjedhore. Hedhje të mbeturinave janë vërejtur në fshatra dhe në disa lagje të qytetit.
Lumenjtë- deponi në Gjakovë, Junik e Mamushë
Menaxhimi i mbeturinave në komunën e Gjakovës është në gjendje jo të mirë. Ka mungesë të kontejnerëve , mbeturinat hidhen edhe në zonën e Çarshisë së Vjetër duke mos e kursyer edhe lumin “Krena” të kësaj komune. Komuna Gjakovës është bërë edhe me aplikacion për raportim për mbeturinat.
Komuna e Junikut ka potencial për zhvillimin e turizmit, por njëkohësisht ka probleme në trajtimin e mbeturinave. Mbeturinat nuk largohen me rregull duke krijuar kështu deponi ilegale. Në mbeturina mund të haset edhe në vendet turistike të kësaj komune dhe lumin “Erenik”.
Komuna e Prizrenit ballafaqohet me probleme të deponive ilegale të mbeturinave, madje në buzë të deponisë Prizren-Dragash hidhen edhe kafshë të ngordhura duke kundërmuar erë të keqe për banorët e asaj ane.
Lumenjtë që lidhin fshatrat Bellobradë, Rapçë, Bresanë të komunës së Dragashit janë shndërruar në deponi ilegale të mbeturinave.
Një deponi për grumbullimin e mbeturinave ishte paraparë nga Komuna e Suharekës kështu duke e ndarë edhe lokacionin, por ende nuk është investuar në këtë fushë. Kjo komunë ka deponi ilegale ku disa janë edhe në lumenj.
Lumi Topllua i komunës së Mamushës përdoret njëkohësisht edhe si deponi ilegale e mbeturinave.
Mbeturina te lapidari në Vushtrri dhe oborret e shkollave në Podujevë
Janë rreth 11 deponi ilegale me të cilat ballafaqohet komuna e Vushtrrisë. Vetëm 57 për qind të qytetarëve të kësaj komune u ofrohen shërbime të grumbullimit të mbeturinave, ndërsa të papërfshirët në këtë grumbullim krijojnë deponi ilegale në fshatrat e kësaj komune.
Mbeturinat kanë pushtuar hapësira të Komunës së Vushtrrisë edhe në ambientet afër lapidarit të “Dëshmorëve të Kombit”.
Janë mbi 70 deponi ilegale në komunën e Skenderajt që ka probleme serioze për grumbullimin e tyre.
Tymi që del nga tymtarët e KEK-ut në Komunë e Obiliqit, nuk është i vetmi problem me të cilën ballafaqohet kjo komunë. Komuna ka probleme edhe me mbeturina, pasi që në territorin kësaj komune derdhen mbeturinat e rajonit të Prishtinës (deponia e Mirashit) përveç kësaj komuna përballet edhe me deponi ilegale.
Probleme me deponi ilegale të mbeturinave ka edhe Komuna e Podujevës. Deponi ilegale ka brenda qytetit si dhe në oborret e shkollave, pavarësisht se në këtë komunë operojnë dy kompani që merren me grumbullimin e tyre.
Bërllok edhe te Gryka e Rugovës
Lagjja Kolovicë në drejtim të fshatit Llukar në Komunën e Prishtinës shfrytëzohet për hedhjen e mbeturinave të materialeve inerte. Para dy vjetësh komuna kishte filluar heqjen e mbeturinave dhe gjelbërimin e kësaj hapësire mirëpo qytetarët e kanë rikthyer në gjendjen e mëparshme.
Dhënia e 10 mijë kontejnerëve falas qytetarëve të komunës së Fushë Kosovës është vlerësuar hap i mirë, por nuk ka arritur të ndikojë në trajtimin e mbeturinave në këtë komunë. Komuna vazhdon të përballet me deponi ilegale.
Lumenjtë e Komunës së Lipjanit janë ndotur nga mbeturina që kanë hedhur banorët, gjendje e tillë është edhe në fshatin Gadime, edhe pse ishin ndërtuar muret e lumit, ekipi i KALLXO.com vërteton se kishte mbeturina.
Përderisa turizmi malor përkatësisht zona e Rugovës është ajka e zhvillimit ekonomik të Komunës së Pejës, “ajka” e problemeve të saj po del të jenë mbeturinat, të cilat hidhen në vendet turistike dhe përgjatë rrugës. Edhe qyteti i bukur i Pejës nuk është i kursyer nga mbeturinat e hedhura.
Punët mirë me deponi ilegale nuk i ka as Komuna e Istogut. Janë rreth 5 fshatra të kësaj komune që kanë deponi ilegale të cilat nuk largohen.
Nga hulumtimet e ekipit të KALLXO.com rreth 10 deponi ilegale aktualisht janë në Komunën e Ferizajt. Grumbuj të deponive të mbeturinave ka edhe në fshatrat e kësaj komune dhe në qytet.
Edhe qyteti dhe fshatrat e Komunës së Shtimes nuk bëjnë përjashtim- ballafaqohen me deponitë ilegale të mbeturinave.