Sheshi i papërfunduar "Ibrahim Rugova" në Istog. Foto: Kallxo.com

Erërat Nuk ia Marrin Problemet Istogut, i Sjellin Ato

Pesë kandidatë i kanë hyrë garës për të qeverisur komunën e Istogut.

Me rreth 40 mijë banorë, komuna të cilës shteti ia ndan 9.3 milionë euro buxhet në vit është e detyruar që 62 % prej tyre t’i ndajë për paga e mëditje, kurse pjesën e mbetur për t’i zgjidhur problemet që i preokupojnë banorët.

E probleme ka shumë më shumë se që buxheti mund t’i përballojë.

Pas zgjedhjeve, kryetarin e ri të Istogut e presin detyra para vetës për t’i zgjidhur.

Kur dikush vendos të shkojë në Istog, vendi i parë që e ka në listë për ta vizituar është gurra përmbi qytet, e cila sjell ujë pandërprerë, dimër e verë.

Por banorët e kësaj komune ku ka mjaft burime të ujit presin që në shtëpitë e tyre t’u shkojë uji pa ndërprerë. Nga kryetari i ri brenda katër viteve të ardhshme ata presin shtrirjen e rrjetit të kanalizimit dhe trajtimin e ujërave të zeza të cilat ndotin lumin e qytetit dhe tokat bujqësore të fshatrave.

Nxënësit e fshatrave Uçë dhe Llukavc i Begut presin objektet të reja shkollore gjatë mandatit të ardhshëm, kurse dashamirët e sportit shpresojnë që vitet në vijim ta gëzojnë palestrën sportive e cila kishte filluar të ndërtohet para me shumë se një dekade.

Edhe largimi i deponive ilegale të mbeturinave do jetë obligim i kryetarit të ardhshëm të Komunës së Istogut.

Në “Debat Pernime” për Istogun, kandidatët që garojnë për ta qeverisur katër vitet e ardhshme ketë komunë shpalosën programet e tyre.

Debat Pernime për Istogun

Rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit

Rrjeti i ujësjellësit nuk është i shtrirë në tërë territorin e fshatrave Kovragë, Veriq, Kosh, Kërrninë, Shushicë, Mojstir, Bellopojë, Uçë e Rakosh.

70 % e hapësirës se këtyre fshatrave nuk është i mbuluar nga rrjeti i ujësjellësit, por edhe aty ku ka rrjet ka probleme me furnizim me ujë.

Në disa prej këtyre fshatrave banorët është dashur të bëjnë vetë zgjidhje përmes rënies së lirë të ujit, kurse në shumicën e rasteve bartin ujë të pijes nga vende të ndryshme.

Po ashtu edhe fshatrat që kanë rrjetin e ujësjellësit kanë problem me furnizimin me ujë. Fshati Dubravë që nuk është larg Istogut edhe pse ka rrjet të ujësjellësit, përballet me reduktime të mëdha të ujit.

Kurse rrjeti i kanalizimit mungon në shumicën e fshatrave të kësaj komune.

Trajtimi i ujërave të zeza

Rrjeti i kanalizimit në Komunën e Istogut, përveç në qytet, është i shtrirë edhe në tri fshatrat e mëdha të kësaj komune, Vrrellë, Banjë dhe Gurrakoc.

Por ujërat e zeza të kanalizimit brenda qytetit derdhen në lumin që ndan Istogun në dysh dhe nuk kanë fare trajtim.

Rrjeti i kanalizimit mungon në pjesë tjera të kësaj komune. Banorët e disa fshatrave janë munduar të bëjnë zgjidhje përmes gropave septike, kurse në pjesën me të madhe të fshatrave ujërat e zeza derdhen në toka bujqësore.

Ujërat e zeza në Istog. Foto: Kallxo.com

Arsimi

Shkolla fillore ”Tre Dëshmorët” në fshatin Uçë ka objekt të vjetër, dritare të thyera dhe infrastrukturë të dobët për aktivitetet sportive të nxënësve. Nxënësit e kësaj shkolle vijojnë mësimin në kushte jo të mira nga dëmtimi i objektit, as tualetet e shkollës nuk janë në gjendje të mirë. Me kushte përafërsisht të njëjta përballën edhe nxënësit e shkollës fillore “Fan Noli” në fshatin Llukavc i Begut.

Shkolla “Tre Dëshmorët” në Uçë. Foto: Kallxo.com

Për këto dy objekte shkollore ishte diskutuar edhe gjatë debatit “Jeta në Komunë” të vitit 2015 në Istog. Kryetar i komunës, Haki Rugova, kishte premtuar që deri në fund të mandatit këto dy objekte do renovohen, por kjo nuk është bërë.

Palestra Sportive 

Në vitin 2003 në Istog kishte filluar të ndërtohet palestra e sporteve, por për çudi që nga atëherë punimet nuk kanë përfunduar. Këtij projekti të financuar nga Ministria e Kulturës nuk po i shihet fundi pas me shumë se një dekade kur filloi të ndërtohet.

Puna e vrazhdë ka përfunduar por qe 14 vite ka ngecje. Objekti dita ditës po dëmtohet, ndërsa përreth tij lulëzojnë therrat dhe hapësira ka mbetur shkret.

Arsyeja e ndaljes së punimeve janë telashet me operatorët e papërgjegjshëm dhe neglizhenca e institucioneve. Mungesa e palestrës sportive me së shumti u kushton sportistëve të kësaj komune dhe dashamirëve të sportit.

Palestra gërmadhë e sporteve në Istog. Foto: Kallxo.com

Infrastruktura dhe turizmi

Komuna e Istogut ka vendosur që aty ku ka qenë parku i qytetit të ndërtohet kompleksi memorial “Ibrahim Rugova”. Deri me tani janë harxhuar rreth 300 mijë euro në ketë projekt, e punimet që tash ishin dashur të kryhen, kanë ngecur për shkak të problemeve me operatorët ekonomikë të përzgjedhur për kryerjen e punëve.

Edhe ato pak punë që janë kryer në ketë kompleks memorial kanë filluar të dëmtohen nga cilësia e dobët e punimeve.  (FOTO,13,14)

Istogu si potencial për zhvillimin e turizmit i ka malet që e rrethojnë. Por për fat të keq pyjet e kësaj komune dita ditës po masakrohen nga prerjet ilegale.

Dëmet nga fatkeqësitë natyrore

Në Istog fryn erë e madhe gjatë stinëve të vjeshtës dhe dimrit. Disa herë erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha në shtëpitë private, serat bujqësore dhe objekte publike.

Në vitin 2012 dëmet kanë qenë mbi 1 milion euro sipas vlerësimeve, kurse në vitin 2017 dëmet e shkaktuar kapin shifrën e mija eurove në ketë komunë.

Deri më tani dëmet e fundit nuk janë kompensuar as te banorët dhe as në bujqësi, përkundër vlerësimeve të bëra nga komisionet komunale.

Shërbimet publike

Deponitë ilegale të mbeturinave janë të pranishme në fshatrat Kaliqan, Rakosh, Llukavc i Begut, Dubravë dhe Lubozhdë. Këto deponi ilegale ka kohë që nuk largohen dhe të pastrohen hapësirat nga bërrlloku. Madje as deponia e mbeturinave ne fshatin Tupec nuk i plotëson kriteret sipas raportit të Institutit GAP.

Mbeturinat skaj rrugës në Istog. Foto: Kallxo.com