Deçan

Në Deçan Keq në Këmbë, Keq me Veturë

Pesë kandidat garojnë në këto zgjedhje për ta qeverisur Komunën e Deçanit katër vitet e ardhshme.

40 mijë banorët e kësaj komune presin zgjidhjet e problemeve që i preokupojnë me infrastrukturën dhe kolonat e gjata të automjteve në qytet ndër shqetësimet kryesore të tyre.

Këmbësorët sigurisht presin hapësirat e lira në trotuaret e reja të ndërtuara që t’u lehtësohet qarkullimi. E veturave u nevojiten me shumë parkingje publike.

Obligime të mëdha qeverisjen e ardhshme e presin në zgjidhjen e trajtimit të ujërave të zeza, largimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e ambientit dhe lumenjve nga degradimit që i bëhet.

Nxënësit e fshatit Ratish shpresojnë të dalin në objektin e ri të shkollës, e mos të mbajnë mësimin në baraka të drurit.

Këto janë disa nga problemet që deçanasit duan zgjidhjen e tyre brenda katër viteve të ardhshme nga qeverisja komunale e cila ka 8 milionë euro në vit. Por gjysma e këtij buxheti shkon në paga e mëditje.

Në DebatPernime qytetarët e Komunës së Deçanit patën rastin t’i dëgjojnë ofertat e 5 kandidatëve përmes programeve të tyre qeverisëse.

Deçani në Debat Pernime

Infrastruktura e Urbanizimi

Qendra e Deçanit është e bllokuar çdo verë për shkak të tollovisë së veturave ngase e njëjta rrugë shfrytëzohet edhe si rrugë magjistrale Pejë-Gjakovë. Për një kilometër rrugë qytetarët duhet të presin gjatë në kolonë.

Ka kohë që përfolet ndërtimi i një rruge transiti për t’u shmangur kolonave, mirëpo deri me tani nuk ka filluar asgjë.

Në ndërkohë, Deçani ka nevojë për parkingje publike, e veturat vështirësojnë qarkullimin e këmbësorëve në trotuare për shkak të parkimit të automjeteve. Banorët e fshatrave të Deçanit kërkojnë shtrimin e rrugëve  dhe të trotuareve.

Edhe disa nga rrugët që janë shtruar vite me parë, siç është rasti me rrugët në fshatrat Llukë e Irzniq, janë bërë për të intervenuar në to.

Asnjë nga 37 fshatrat e kësaj komune nuk kanë plan rregullativ, ndërsa qyteti e ka të hartuar këtë plan.

Në katër vitet e fundit, komuna ka identifikuar 45 ndërtime pa leje katër vitet e fundit, kurse vetëm në ketë vit ka dhënë 7 leje ndërtimi.

Ambienti dhe Uji

Komuna e Deçanit ka problem të madh me mbeturinat. Rreth 30 deponi ilegale janë të pranishme nëpër hapësira të ndryshme të kësaj komune.

Tri  javë para zgjedhjeve, deponitë kanë filluar të pastrohen. Shumicën e fshatrave dhe disa lagje të qytetit hedhen mbeturinat vend e pa vend, kurse ato nuk largohen për kohë të gjatë.

Probleme ka pasur edhe me punëtorët e kompanisë së pastrimit “Higjiena”, të cilët disa herë kanë hyrë në grevë për shkak të kushteve të punës dhe mos marrjen e pagave.

Prerja ilegale e pyjeve vazhdon në bjeshkët e Deçanit, ndërsa lumenjtë janë ndotur nga kanalizimet. Në qytet, banorët kanë ujë të pijshëm por jo edhe në fshatra.

Punimet në Hidrocentrale kanë shkaktuar dëme në gryken e Deçanit që nga fillimi i punimeve. Dëme të konsiderueshme nga punimet janë edhe në shtratin e lumit i cili dita ditës po tkurret.

Rrjeti i ujësjellësit është shtrirë në shumicën e fshatrave të kësaj komune, përveç në tre fshatra që nuk kanë ujësjellës, dy Ratishat dhe Mazniku. Tri vite nuk kanë pasur të vendosura orëmatës banorët dhe nuk kanë paguar ujë fare. Përveç kësaj, ka pasur edhe keqpërdorime të mëdha të ujit. Disa fshatra ankohen se kanë problem me rrjetin e ujësjellësit për shkak se nuk kanë shtypje dhe kanë reduktime.

Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale

Për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve, komuna e Deçanit nuk ka qendër emergjente dhe si rrjedhojë të gjithë qytetarët duhet të shkojnë në Pejë.

Qendrat e mjekësisë familjare në Isniq, Strellc, Prapaqan, Gramaqel e Ratish kanë nevojë për renovime.

QKMF, Strellc. Foto: Kallxo.com

Te kujdesi ndaj pacientëve, Komuna nuk ka arritur që të blejë një makinë për transportin e pacientëve me hemodializë.

Në mbarë komunën e Deçanit janë 30 familje që kanë bërë kërkesa për strehim, ndërsa komuna nuk ka ndarë ende asnjë banesë sociale.

Arsimi

Përpos akuzave për politizim, Deçani në fushën e arsimit ka probleme me infrastrukturën e shkollave, veçanërisht në shkollat e fshatrave Lumbardhë, Maznik dhe Ratishë.

Në ketë të fundit, një pjesë e nxënësve mësojnë në baraka dhe kushte tejet të këqija.

Objekte e këtyre shkollave janë të dëmtuara dhe nxënësit mbajnë mësim në kushte jo të mira. Edhe terrenet sportive janë me infrastrukturë të dobët.

Në tërë komunën asnjë shkollë nuk ka laboratorë, ndërsa 16 shkolla punojnë në dy ndërrime dhe vetëm 6 prej tyre kanë salla të Edukatës Fizike.

Te kujdesi ndaj fëmijëve nën moshën 6 vjeçare, Deçani në tërë komunën ka vetëm një çerdhe në partneritet publiko-privat, ndërsa nevojat janë shumë me të mëdha.

Turizmi

Njëra prej shtyllave të Deçanit është natyra e mirë që ka dhe mundësi për të tërhequr investime në turizëm. Por një pjesë e madhe e zonës ku mund të zhvillohet turizmi menaxhohet nga Manastiri i Deçanit.

Pyjet e Deçanit janë resurs i mirë por pikërisht në pjesën më të mirë të saj ka dëmtime, përkatësisht prerje të tyre dhe dëmtim të natyrës nga hidrocentralet dhe ndotje të lumenjve.