Foto: Nisma Socialdemokrate - Facebook

Nisma: Vendi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme

Nisma Socialdemokrate të dielën ka mbajtur mbledhje me anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve të partisë.

Përmes një njoftimi në Facebook, kjo parti ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për situatën e krijuar në vend pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Nisma Socialdemokrate vlerëson se pas situatës së krijuar vendi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, prandaj Nisma është e gatshme të hyjë në këto zgjedhje”, thuhet në njoftim.

Sa i përket ftesës nga Gjykata Speciale për kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, kryetari i partisë Fatmir Limaj citohet të ketë thënë se Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e UÇK-së.

“Ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së.  Kryetari Limaj ka shprehur bindjen e plotë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, thuhet në njoftimin e Nismës.

Menjëherë pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të premten, partitë politike opozitare dhe ato në pushtet kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ndonëse shprehën keqardhje që Haradinaj ofroi dorëheqjen e tij për shkak të thirrjes për intervistim në cilësinë e të dyshuarit nga ana e Gjykatës Speciale, LDK-ja dhe VV-ja i bënë thirrje presidentit Hashim Thaçi ta caktojë datën e zgjedhjeve.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, i cili e quante veten “lider të koalicionit PAN”.

Veseli i cili gjendej në Amerikë kur Haradinaj dha dorëheqjen, në një konferencë për media në Prishtinë të shtunën, vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.