Veseli: Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhjet e parakohshme që janë të pashmangshme pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj.
“Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme”, ka thënë Veseli. “PDK-ja është e gatshme për zgjedhjet kurdo që caktohen ato. Ajo që duhet të diskutohet tani është vetëm koha kur duhet të mbahen zgjedhjet”, tha Veseli në një konferencë të mbajt pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se dorëheqja e kryeministrit është personale dhe se PDK-ja e pranon si të tillë, mirëpo ka theksuar se ata nuk kanë pasur asnjë informacion apo konsultim paraprak.
Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.
Historiku i Gjykatës Speciale
Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.
Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.
Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.
Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.