Foto: KALLXO.com

Nis Debati për Arrestimin e Haradinajt

Duke folur në emër të Vetëvendosjes në seancën për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë, deputeti Ismajl Kurteshi ka thënë se ky arrestim është rezultat i negociatave joparimore mes Kosovës e Serbisë që po zhvillohen tash e 6 vjet.

“Kjo nuk do të thotë se me Serbinë nuk duhet të negociohet, por duhet të negociohet me kushte e në mënyrë parimore”, tha Kurteshi.

12:27

Pal Lekaj në seancën e jashtëzakonshme ku do të debatohet për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë lexoi pikat e asaj që tha se pas debatit mund të bëhet një rezolutë që do të dalë nga Kuvendi.

Arrestimin e Haradinajt në Francë më 4 janar në njërin nga aeroportet e këtij shteti Lekaj e quajti të papranueshëm dhe sulm të drejtpërdrejtë në lëvizjen e lirë.

Të papranueshëm në pikat që lexoi, Lekaj e quajti edhe vendimin e autoriteteve gjyqësore të Francës që ta mbajnë në paraburgim liderin e AAK-së.

Lekaj tha se mbajtja në paraburgim po bëhet për t’i dhënë kohë Serbisë që ta plotësojë dosjen e saj kundër Haradinajt.

Pasi lexoi pikat, Lekaj tha se ato mund të harmonizohen mes grupeve parlamentare pas debatit.

Pas Pal Lekajt foli shefi i grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti.

Pajaziti tha se Kosova ka problem me Serbinë e jo me Francën.

“Kërkojmë nga institucionet tona të punojnë sa më shumë me ato ndërkombëtare që Serbia të mos abuzojë me fletarrestet ndaj qytetarëve tanë. Adresimi ose shqetësimi ynë kryesor nuk është me Francën, por me institucionet e Serbisë, qeverinë serbe,” tha Pajaziti.

Haradinaj u arrestua gjashtë ditë më parë në Francë sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Haradinaj ishte arrestuar edhe në Lubjanë në qershor të vitit 2015 në bazë të një mandat-arresti të lëshuar nga Serbia më 2006.

Në bazë të akuzave të Serbisë për krime lufte kundër civilëve serbë dhe aleatëve të tyre, Ramush Haradinaj qe gjykuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj, i cili më 2005 kishte lënë postin e kryeministrit të Kosovës për t’u dorëzuar në Hagë, më 2012 ishte shpallur për herë të dytë i pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare.