Qendra Korrektuese e Lipjanit - Foto: KALLXO.com

Nga 33 të Burgosura Thaçi fali Vetëm Një

Nga 33 gra të burgosura të cilat gjenden nëpër burgjet e Kosovës, Presidenti Thaçi pavarësisht kërkesave zgjodhi që t’i falë dënimin vetëm njërës.

Në dekretin e publikuar gjatë ditës së hënë nga Zyra e Presidentit, Thaçi ka vendosur t’i falë dënimin Sahadete Elezit.

Ajo ishte e dënuar me 9 vjet burg për vrasje të rëndë në tentativë. Asaj, Presidenti Thaçi ia ka falur 5 vjet e 3 muaj burg.

I pyetur nga KALLXO.com se sa gra vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës, drejtori  i Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogaj tha se janë gjithsej 33.

“Numri total i të burgosurve për vepra të ndryshme penale është 1647, prej tyre 33 gra”, tha Zogaj.

Në Qendrën e vetme Korrektuese për femra dhe të mitur n]ë Lipjan janë 94 të burgosur. 25 prej tyre i kanë dërguar kërkesë për lirim Presidentit Hashim Thaçi.

Dekreti për faljen e të burgosurve u prit të publikohej 2 muaj më parë.

Në një reportazh të cilin e kishte bërë KALLXO.com me datën 17 shkurt, të burgosurit e Qendrës së vetme Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan prisnin që Presidenti Thaçi të falte dënimet e tyre.

http://kallxo.com/te-burgosurat-ne-lipjan-shpresojne-lirine-ne-diten-e-pavaresise/

Sipas dekretit të Presidentit, i cili ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, më 28 prill pjesa e mbetur e dënimeve iu fal  Ali M. Rugovës, Armet H. Hamitit, Dalibor C. Trifunoviqit, Daut S. Sadriut, Demokrat Z. Ahmetit, Ejup Y. Muharremit, Fehmi Z. Kukiqit, Hajdar M. Dilit, Hajdar N. Muçiqit, Jaha G. Hasanit, Osman Z. Zymberit dhe Sahadete F. Elezit.

http://kallxo.com/kjo-eshte-lista-e-te-burgosurve-qe-fali-presidenti/

Gazeta “Jeta në Kosovë” publikoi edhe veprat penale të të burgosurve që Presidenti Thaçi u ka falur dënimet.

Tetë nga dymbëdhjetë personat e falur nga Presidenti kanë qenë në burg për vrasje apo vrasje në tentativë.

Tre të burgosur kanë qenë në burg për rrezik në trafikun publik dhe një për vjedhje.

Historia Kriminale e Personave të Falur nga Presidenti

Këtë vit, 694 të burgosur kanë kërkuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë t’u falet dënimi i mbetur.

Presidenti i vendit sipas Kushtetutës e ka në kompetencë faljen e të dënuarve në raste të veçanta.

Zakonisht falja bëhet në ditët e shënuara siç është 17 Shkurti- Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Të drejtë të falen sipas Kodit Penal të Kosovës nuk kanë ata që ndonjëherë kanë përfituar nga falja presidenciale dhe personat të cilëve nuk u janë bërë të plotfuqishme dënimet.

Falja e të burgosurve nisi në vitin 2009 nga ish-Presidenti Sejdiu në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Ish-Presidentja Atifete Jahjaga nuk fali asnjë të burgosur në vitet 2015 dhe 2016. Faljen e fundit të të burgosurve ajo e bëri në vitin 2014.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për falje që presidentët u bënë edhe disa personave që duhej të vazhdonin  të qëndronin në burg.