Vetura e Policisë së Kosovës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Katër të arrestuar për dhunë në familje brenda 24 orëve

Nga një rast në Prishtinë e Pejë dhe dy Gjakovë për dhunë në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Policinë e Kosovës.

Në të katër rastet, viktima janë gratë. Ndërkaq në njërin prej rasteve, përveç bashkëshortes viktimë është edhe djali i të dyshuarit.

Në Prishtinë rreth orës 07:30 më datë 26.02.2024 është arrestuar një dyshuar për shkak se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht gruan dhe djalin e tij.

Sipas Policisë, viktimave ju është ofruar ndihma mjekësore, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje dhe rasti është nën hetime.

Në të njëjtën ditë, në orën 17:30 në Pejë, një grua ka raportuar që është kanosur me një thikë nga bashkëshorti i saj.

“I dyshuari është arrestuar dhe me autoambulancë është dërguar për mjekim ne repartin e psikiatrisë. Viktima ka refuzuar ndihmën mjekësore”- ka njoftuar Policia.

Sipas Policisë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit dhe i njëjti vazhdon trajtimin në mbikëqyrje të policisë.

Ndërkaq në Gjakovë në dy raste të ndara janë arrestuar dy burra nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre.

Rasti i parë është raportuar në Polici më 18.02.2024 rreth orës 01:30. Ndërkaq, më 27.02.2024 është arrestuar i dyshuari për keqtrajtim ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas Policisë, viktima është intervistuar në prezencë të punëtorit social dhe e njëjta nuk ka dashur trajtim mjekësor. Teksa, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Kurse rasti i dytë i dhunës në familje në Gjakovë ka ndodhur më datë 26.02.2024 në orën 21:00.

Sipas Policisë, ankuesja shtetase e Zvicrës, ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar.

Policia ka njoftuar që viktima ka refuzuar të pranojë trajtim mjekësor.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.