Edita Tahiri, Ministre për Dialog

Nesër Rund i Ri i Bisedimeve në Bruksel

Në Bruksel nesër do të vazhdojnë bisedimet trepalëshe dhe në agjendë do të jenë çështjet e drejtësisë dhe kodit shtetëror telefonik të Kosovës.

Në këto takime Kosova dhe Serbia do të raportojnë për progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve për zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit, tashmë ka arritur në kryeqytetin evropian, ku sot do të zhvillojë takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian me qëllim që “të bëhet një vlerësim për rrjedhat dhe rezultatet e dialogut gjatë këtij viti i cili po i afrohet fundit, si dhe për përcaktimin e dinamikave për përmbylljen e procesit zbatues për marrëveshjen për drejtësinë dhe për kodin telefonik shtetëror për të cilën tashmë është përcaktuar se më 15 dhjetor 2016 Kosova do ta merr kodin vet telefonik nga ITU”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Në këtë komunikatë thuhet se në këtë rund të bisedimeve nuk do të bisedohet për çështjen e Asociacionit dhe për këtë çështje nuk është biseduar as në rundet e kaluara.

Më 13 nëntor, në Bruksel është arritur marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës.

http://kallxo.com/arrihet-marreveshja-per-kodin-shteteror-telefonik/