Edita Tahiri - Foto: KALLXO.com
Tahiri kritikon Qeverinë: Edhe e ofruan Asociacionin, edhe morën grusht nga treshja e madhe evropiane
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka kritikuar Qeverinë lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Tahiri thotë se Qeveria ka rrëzuar vendin në dy gjunjë pasi që “edhe ofruan Asociacionin- edhe morën grusht nga treshja e madhe europiane”, për sa kohë që e lanë anash presidenten Vjosa Osmani.
“Edhe ofruan Asociacionin edhe morën grusht nga treshja e madhe evropiane, ndërsa e lanë anash presidenten Osmani – e rrezuan Kosovën në dy gjunjë – Kurrë Kosova nuk ka lejuar të rrëzohet as në luftë as në paqe deri sot – është një porosi kur deveja i thotë pronarit para se ta përfundojë jetën që të gjithë e dimë – në këtë gjendje të mjerueshme kemi rënë – fatkeqësi katastrofale” – ka shkruar Tahiri në Facebook, duke përdorur metaforë për ilustrim të gjendjes.
Ky reagim vjen pas letrës që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz e ka dërguar në Këshillin e Europës më 16.05.2024, duke u zotuar për krijimin e një drafti të ri për “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim” dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
Në një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti më 15.05.2024, tri shtetet europiane, Franca, Gjermania dhe Italia kanë thënë se ka rrezik që Kosova s’do të ketë përkrahjen e nevojshme për anëtarësim, nëse nuk s’do të nis me themelimin e Asociacionit.
Në letër thuhet se propozimi për Statutin e Asociacionit, i bërë nga emisari për dialogun Miroslav Lajçak, është solid dhe i hartuar me kujdes “me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë”.
Për letrën e Gërvallës, Presidenca e Kosovës ka reaguar duke thënë se për këtë veprim nuk ka pas “konsultim dhe dakordim” me shefen e shtetit, ndonëse paraprakisht Gërvalla ka deklaruar se koordinimi mes institucioneve është si rrallë herë në nivel të jashtëzakonshëm.
Pas deklarimit të Presidencës, MPJD tha për KALLXO.com se letra e dërguar në KiE është konkretizim i zotimeve të mëparshme të krerëve të shtetit.
Ndonëse anëtarësimi i Kosovës në KiE është kushtëzuar me dërgimin e draftit për Asociacionin në Kushtetuese, kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk e pranojnë këtë kusht.
Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurd dhe shtoi se Qeveria ka punuar pa reshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar standardet, kriteret, kushtet e parakushtet për tu bërë anëtare e plotë e Këshillit.
Pas “dritës së gjelbër” që Kosova mori më 16.04.2024 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, hapi i fundit për anëtarësim mbetet votimi nga ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare, të kësaj organizate ndërkombëtare.
Por, çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së këtyre ministrave që është mbajtur sot, më 17.05.2024.
Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Ndërkaq, çështja e Asociacionit që një kohë të gjatë po qëndron pa asnjë zgjidhje. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.