Fadil Muqolli, familjar i viktimave të masakrës së Poklekut të 17 prillit 1999. Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
'Ai gjak nuk po ka kë me pritë'
Muzeu nuk mjafton. Fadil Muqolli çdo ditë zgjohet me luftën brenda tij që të kërkojë drejtësinë për familjen që iu vra brenda një dhome nga forcat serbe. Gjaku kullon, por drejtësi ende nuk ka.
Lotët nën qerpikë i mban me aq forcë sa i ka mbetur, edhe pse dy sytë e rrethuar me rrudhat e vuajtjes, shpërfaqin dhimbje, mall e pritje. Ashtu i fortë si burri i botës, Fadil Muqolli jeton që 25 vite, prej kur me duart e tij mblodhi eshtrat e djegura të nënës, babait, fëmijëve, gruas, motrave e vëllezërve të tij të vrarë e të djegur në masakrën e Poklekut.
55-vjeçari nuk qan midis të tjerëve, por plagën që i lëvizë gjoksin e mban nën kraharor.
Çdo pasdite, para se të shkojë nga puna për në shtëpinë e tij të re, që gjendet mu përballë të vjetrës, Muqolli, që mbanë barrë të madhe mbi shpinë e gjëmime të mëdha përsiatjesh lufte në kokë, me hapa të ngadaltë viziton familjen që nuk ekziston më.
“Unë kur jam ardhë me i marrë eshnat, mos me m’i hupë serbët, e ni atë aromën e durve kur i marr erë, më doket hala ajo aromë me doket që po e ni, e eshnave të djegët” – rrëfen Muqolli teksa shikon fotografitë e varura në muret e shtëpisë.
Që 25 vite, së bashku me dhimbjen e paskajshme për familjen e gjerë që iu vra nga forcat paramilitare e ushtarake serbe më 17 prill 1999, Muqolli brenda shtëpisë që duhej të ishte plot, e ka mbetur thatë, kujdeset i vetëm për fotografitë, rrobat e gjësendet e më të dashurve të tij, për të cilët ende nuk po gjen drejtësi.
Atij, Muqollit, familjar i 14 anëtarëve të ngushtë të vrarë në masakrën e Poklekut, i kujtohen edhe kapsitjet më të vogla të prillit të ankthshëm, të prillit të luftës deri te pellgu i gjakut në shtëpinë e tij, e aroma e duarve që varrosën 53 trupa të vrarë mizorisht brenda dhomës së ndejës në shtëpinë që pritet tashmë të bëhet muze.
“Mu më kujtohen të gjitha, prej momentit kur e kam marrë lajmin çka ka ndodhur, deri kur jam ardhë e i kam pa, momentet kur jam hi në bodrum, kam shkelë në gjak, si në ujë, e kam pa gjakun tuj pikë prej tavanit, momentin kur jam ardhë e i kam tubu eshnat e të gjithë atyne njerëzve. Janë momente që është shumë vështirë me u përshkru, të randa tepër”- kujton 55-vjeçari.
Lajmin e ethshëm se 53 persona ishin vrarë brenda shtëpisë ia kishte dhënë xhaxhai i tij, me të cilin ishin së bashku ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ashtu siç e mban mend, Muqolli i cili atë ditë luftonte përkrahë ushtarëve të tjerë në mal, nuk kishte arritur t’i besonte fjalëve të askujt, derisa i pa eshtrat me sytë e tij.
Atëkohë, djalë i ri, Muqolli kujton se qysh një natë më përpara, më 16 prill, kishin qëndruar në po atë dhomë ku përjetuan tmerrin, deri në orët e vona duke ngrënë e pirë me më të dashurit e tij. Dhe në mëngjesin e 17 prillit, po ata familjarë ishin nisur të braktisin fshatin, pas sulmeve të ushtrisë serbe.
Duke mos qenë në dijeni që familjarët ishin kthyer mbrapa me dhunë në atë të shtunë të zymtë me shi, Muqolli nuk mund të paramendonte që një terror i tillë kishte ndodhur ndaj atyre me të cilët përjetoi çaste të bukura një natë më parë.
“Nuk mujsha me besu. E kam lyp vëllain Qamilin edhe ai u kanë ushtar, ai ish pas hi këtu [në shtëpi] edhe i ka pa. E kam gjetë vëllain e kam pyet ‘a din najsen?’, tha ‘po, jam kanë, jam hi, i kam pa, i kanë vra edhe i kanë djegur’. I thashë ‘krejt a?’, më tha ‘krejt’. Neve asni anëtarë nuk na ka pshtu, krejt çka janë kanë, krejt i kanë vra”- tregoi Muqolli.
Nga rrëfimet e dëgjuara nga gjashtë dëshmitarët që dolën të gjallë nga ai gazep i 17 prillit, tmerre të cilat i përjetuan në lëkurën e tyre, Muqolli shpalos çaste të trishta që kanë jetuar të vrarët brenda dhomës së ndenjës, apo siç e quan ai, “Holokausti i Kosovës.”
Muqolli tregoi se si në ditën e masakrës, forcat serbe kishin hyrë në shtëpi, i kishin nxjerrë jashtë, i kanë numëruar dhe i kanë futur përsëri brenda, për mos të dalë më kurrë të gjallë.
Të vetmit që ishin nxjerrë jashtë për t’u ekzekutuar ishin babai dhe vëllai i tij — trupat e vrarë të të cilëve i kishin gjetur në bunarin e shtëpisë.
“Janë kthyer shpejt në shpi, e kanë hapë derën edhe i kanë gjuajtur dy bomba dore. Pas qetësimit të bombave, ka hy brenda me pushkë automatike edhe ka gjujtë deri sa ka mendu që i kanë vra të gjithë, edhe u largu prej aty. Në mbramje kanë ardhë kanë hy edhe niher edhe e kanë djegë dhomën. Të nesërmen prapë janë ardhë edhe e kanë djegë dhomën edhe njëherë. Pas pesë-gjashtë ditëve kanë ardhë prapë e kanë djeg dhomën edhe krejt shpinë”- shpalosi Muqolli.
Në mesin e të vrarëve ishin 23 fëmijë, nga foshnja gjashtë muajshe deri në moshën 14-vjeçare. Brenda asaj dhome ishin vrarë shtatë anëtarë të familjes së Halil Muqollit, gjashtë anëtarë të familjes së Rrahman Muqollit, gjashtë anëtarë të familjes së Ilmi Muqollit, shtatë anëtarë të familjes së Ramadan Muqollit, shtatë anëtarë të familjes së Ymer Elshanit, katër anëtarë të familjes Caraku, një anëtar i familjes Hoxha dhe një anëtar i familjes së Tafil Muqollit.
Muqolli tregon që nga familjet e po këtyre të vrarëve, së bashku me të ishin rreth 10 ushtarë të cilët ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në atë kohë ishin duke luftuar.
Pas lajmit, po këta ushtarë ishin kthyer në shtëpi për të tërhequr trupat e familjarëve, përderisa në shtëpitë kundruall akoma qëndronin të pozicionuar ushtarët serbë.
“Kemi hy e kemi marrë një bateri të kerrit, një sy të kerrit edhe nji qebe…E kemi mbyllë dritaren me qebe mos me u dokë drita. E kemi dhezë dritën me bateri të kerrit edhe i kemi tubu eshnat, i kemi shti në thasë edhe i kemi çu në mal. E kemi maru një bunker që kanë qëndru aty deri pas përfundimit të luftës”- tregoi Muqolli se si kishin mbledhur eshtrat të cilët i kishin rivarrosur pas luftës, me ceremoni afër lapidarit që shënjon masakrën e Poklekut.
Ndërsa, trupat e babait dhe vëllait të tij, së bashku me ushtarët tjerë i kishin gjetur në bunarin para shtëpisë, të cilët i kishin tërhequr me litar për t’i varrosur së bashku me eshtrat e tjera.
Afër lapidarit të gjendet në një pikë të lartë të fshatit Poklek ekzistojnë vetëm katër varre mes luleve të verdha. Në varrin e mesit janë të varrosur të gjithë eshtrat e 51 anëtarëve. Ndërsa në të dy tjerët anash, trupat e babait dhe vëllait të Fadil Muqollit.
Lufta që nuk pushoi
Vitet kanë kaluar, por dhimbja nuk është tretur. Brenda qenies së Fadil Muqollit që tashmë ka krijuar një familje të re që përbëhet nga gruaja dhe dy djemtë e tij, akoma vazhdon të qëndrojë një vragë e madhe, ankth që nuk po mundet ta tejkalojë dot.
Shtëpia për të cilën Muqolli u kujdes plot 25 vite krejtësisht i vetëm, tashmë po bëhet muze në të cilën gjenden fotografi, rroba, libra e fletore, enë e gjësënde të familjarëve të vrarë. Lidhja e tij me shtëpinë ka bërë që 55-vjeçari në asnjë çast të jetës së tij mos të dalë nga kjo ngjarje edhe pse është munduar të ndërtojë fole të re.
Por ishte pikërisht shtëpia e vjetër dhe ata njerëz që i kishin mbetur të gjallë, arsyet se pse Muqolli vendosi të vazhdojë jetën përpara.
“Ka përfundu lufta, kur jam ardhë jam hy, sa kohë kam nejt nuk e di në qat dhomë, nuk jam kanë vetvetja”- tregoi Muqolli, i cili ishte mbyllur brenda dhomës ku iu vranë familjarët – dhomë e cila vazhdon të qëndrojë e njëjta prej asaj të shtune të kobshme.
“Jam dalë jashtë, jam ulë në shkallë të shpisë edhe kam mendu kah, çka unë, s’kisha kurgjo, familja ish vra. U ardhë vëllai i vogël, u kanë 14 vjet e gjysmë, ata e kam marrë me veti gjithë se u kanë i rritun me trup edhe mendoja që munden me vra, me nxanë me civilë. Më ka thirrë, nuk e kam ni. U ardhë më ka prek në krahë edhe jam çu. Më ka thanë, më ka pa që nuk jam mirë, më ka thanë “Bac a e di që ma kanë vra babën edhe nanën”, i thashë “po”. Tha: “a e din që unë ty të kam edhe babë edhe nanë”. Aty e kam përqaf, edhe kam vendos me vazhdu për këta që janë mbet, po edhe për shpinë edhe dhomën posaçërisht, se aty i kam kujtimet e fundit që kam nejt me ta”- vazhdoi rrëfimin Muqolli me sy të mbushur lot, që nuk piknin dot mbi lugjet e faqeve.
Megjithatë, Muqolli pret që pas shpalljes muze të kësaj shtëpie të paktën të caktohet një ciceron që do ia lehtësonte jetën. Kështu, ai nuk do rrëfente nga dy-tri herë në javë rrëfimin e njëjtë qoftë për vizitorë apo për media.
Edhe pse 55-vjeçari asnjëherë nuk ka refuzuar askënd, por pavarësisht lodhjes e mërzisë pret njerëz të rinj për të treguar se çfarë ka ndodhë mbi familjen e tij.
Brenda shtëpisë tre kate e gjysmë janë vendosur gjurmë që simbolizojnë gjakun nëpër tokë, sofra, fotografitë e secilit të vrarë, ilustrime që tregojnë luftën e tyre përbrenda shtëpisë, rroba të djegura, fletore të lëna në gjysmë e shumë kujtime tjera që vetë Fadil Muqolli i ka ruajtur.
Edhe pse jeton me këto kujtime, atij po i vjen keq që assesi nuk po mund ta largojë ngjarjen nga koka, saqë ndihet keq nga mendimi që nuk po mundet të jetë një prind ashtu siç duhet për fëmijët e tij.
“Edhe unë bre kam drejtë me pasë një…me kanë një prind ma i mirë, ma i qetë, ma në disponim me fëmijë të mi e me familjen tem”- tha Muqolli i dëshpëruar.
Kryefamiljari thotë që kur largohet sadopak prej ngjarjes, ose kur shkon në punë është më i qetë për shkak se koncentrohet në diçka tjetër. Por kur është në shtëpi nuk mund ta largojë për asnjë sekondë ngjarjen nga mendja, gjë që shkakton pasoja si rënie të disponimit dhe ngarkesa psiqike, sa mos të mund ta takojë askënd, as për një kafe.
“Një e kam kuptu që njerëzit prej ngarkesës psiqike, prej tmerreve që përjeton asnjëherë nuk çmenden, njerëzit çmenden prej sevdasë. Njeri nuk po u çmendke prej përjetimeve të randa” – beson Muqolli.
Gjaku që kullon pret drejtësinë
Për njerëzit që iu vranë pafajshëm e tmerrshëm në shtëpinë që duhej të rriste breza të rinj, Fadil Muqolli nuk posedon as një dokument të vetëm zyrtar. E vetmja gjë që është bërë për këtë masakër, edhe ajo bile vonë, është rikthimi i shtëpisë në muze.
Jo që nuk ekziston asnjë dokument që vërteton një gjë të tillë, po për një tmerr të tillë nuk ka asnjë të dënuar të vetëm, e as nuk u delegua në Tribunalin e Hagës. Një padrejtësi e tillë, Muqollin po e vret së bashku me mallin e madh për ata që nuk janë më.
Të paktën Muqolli beson që ndoshta muzeu do ia lehtësojë pakëz plagët.
“Kur kanë përfundu punimet e këtij projektit të fundit, i kam ndezë dritat edhe kam dalë në oborr me këqyrë qysh po duket. Shpirti më thojke hynë brenda se janë, unë e dijsha që nuk janë. U kanë një ndjenjë e tmerrshme për mu”- kujtoi Muqolli teksa fliste për shtëpi-muzeun e Poklekut, për të cilin thotë se nuk e ka vizituar asnjë zyrtar, as i drejtësisë vendore e as asaj ndërkombëtare.
Muqollit shumëfish po ia rëndon fakti që askush nuk po interesohet të vë drejtësi për masakrën e Poklekut, sa që vë në dyshim nëse organet e drejtësisë po punojnë për të zbardhur këtë rast.
Edhe pse serbët e kanë kryer krimin në Poklek, Muqolli i cilëson bashkëfajtorë misionet ndërkombëtare EULEX-in edhe UNMIK-un e që sipas tij e kanë fshehur këtë krim dhe nuk e kanë deleguar në Hagë.
“Nuk e di nashta pse na ka ndodhë neve si familjarë, neve po na duket absurd kjo fjala drejtësi. Për mu veç drejtësi nuk ka. E për shumë njerëz, e për krejt institucionet e vendit mu më vjen shumë randë me thanë, por kanë pas zero, zero interesim”- tha ai, duke shtuar që njerëzit e drejtësisë veç duhet të jenë në komë përndryshe nuk është aspak e njerëzishme, as drejtësi që për 25 vite mos të vizitojë askush një vend në të cilin akoma pikon gjak.
Megjithatë ai nuk do të heshtë. Thotë se do përdorë të gjitha format që mos ta heshtë atë çfarë ka ndodhur mbi familjen e tij, përndryshe nëse e heshtë “nuk e di pse jetoj”.
Sipas tij, akoma ka njerëz që nuk e din çfarë ka ndodhur në Poklek dhe e gjithë ngjarja mundet t’i ngjajë me ndonjë ëndërr, pasi që as në libra nuk shkruan askund si pasojë e dështimit të institucioneve për ta faktuar një masakër aq makabre.
E, që 25 vjet, Muqolli thotë që as vetë historianët e Akademisë së Shkencave të Kosovës nuk kanë ardhur të interesohen për masakrën e Poklekut.
Fadil Muqolli, familjar i viktimave të masakrës së Poklekut të 17 prillit 1999. Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
“Me pak fjalë ju kisha drejtu ‘a keni fëmijë, a keni familje?’, edhe këta janë familjarët e mi, 14 anëtarë, hiqni fotografitë e familjes tem e qitni fotografitë e familjes të juj edhe dilni veç dy minuta në vendin tem. Edhe e kisha kërku një përgjigje pasi të dalin në vendin tim”- tha Muqolli.
Kur kanë përfunduar punimet e muzeut, Muqolli i kishte thënë shokut të tij që t’i thonë “përhajër” edhe pse për shumë njerëz mund të duket e pakuptimtë, por për Muqollin ka shumë kuptim pasi që 25 vite është kujdesur i vetëm për atë vend.
E në projektin e parë që është bërë në këtë shtëpi, Muqolli akuzon kompaninë që kishte mbuluar njollat e gjakut në për mure. Ndërkaq në tavanin e podrumit akoma kullon gjak i 17 prillit 1999.
“Unë jam i bindun se ai gjak po e pret dikon, po e pret drejtësinë. Ai gjak edhe nuk thahet, edhe nuk teret pa ardhë drejtësia. Fatkeqësisht ai gjak nuk po ka kënd me pritë”- shprehet i pashpresë Fadil Muqolli nga Pokleku që mban aromë plagësh të luftës.