Haxhiu: Kushtetuesja i ka dhënë dritë të gjelbër vetingut për nivelet e larta të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për amandamentet të cilat e mundësojnë vetingun në drejtësi.
Sipas këtij vendimi, amandamentet e propozuara kushtetuese nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore, bazuar në kapitullin ll të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ministrja Haxhiu është shprehur se Kushtetuesja i ka dhënë dritë të gjelbër vetingut për nivelet e larta të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmes një mekanizmi të jashtëm.
‘’Ndonëse për më shumë se 9 muaj vonesë, Gjykata konfirmoi çfarë është përcaktuar për këtë proces jetik për shtetin e së drejtës. Ka shumë punë përpara. Ne jemi të përcaktuar që me vullnet dhe përkushtim të tejkalojmë secilën pengesë që do të na dalë’’ – ka shkruar ministrja Haxhiu, në profilin e saj në Facebook.
Haxhiu ka shtuar po ashtu se do të bëjnë reformën e thellë në atë çka qytetarët e kërkojnë më së shumëti, drejtësi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për amandamentet që mundësojnë vetingun në drejtësi është dhënë sot, katër ditë pas deklaratës së ministres Haxhiu, e cila kishte thënë se nuk mund të kalojë një vit për të marrë një vendim nga gjykata për vetingun në drejtësi.
Ndërkohë që më 2 mars 2023, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kishte njoftuar se pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për vetingun në sistemin e drejtësisë, i ka përcjell amendamentet Kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Konjufca kishte thënë se i ka dërguar për të marrë përgjigje nëse të njëjtat janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.