Ilustrim

Në Mitrovicë është hapur panairi i produkteve vendore

Në sheshin e qytetit të Mitrovicës, sot është hapur panairi i produkteve vendore, që është mbështetur nga Komuna e Mitrovicës, gjegjësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik.

Qëllimi i këtij panairi është të mbështes prodhuesit vendor dhe të rrisë vetëdijesimin për konsumimin e produkteve vendore, si dhe të promovojë kreativitetin dhe idetë e prodhuesve tanë, thuhet në një njoftim të komunës.

Drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Mitrovicës, Ekrem Sadiku, tha se panairi i produkteve vendore tashmë është bërë tradicional dhe është një mundësi e mirë që prodhuesit t’i plasojnë produktet e tyre.

Ai po ashtu ka thënë se kjo është një mundësi e mirë që prodhuesit t’i promovojnë dhe shesin produktet e tyre, meqë panairi vizitohet nga qytetarë të shumtë.

Sadiku shtoi se Komuna e Mitrovicës, aq sa i lejojnë mundësitë buxhetore, do t’i përkrahë prodhuesit vendor në fushën e promovimit të produkteve të tyre, andaj edhe i inkurajon ata për punë të vazhdueshme dhe të palodhshme.

Në këtë panair kanë marrë pjesë biznese të vogla, duke ekspozuar dhe promovuar produktet e tyre si: mjaltë, punë dore, përgatitje shtëpiake, produkte nga perimekultura dhe shumë produkte të tjera.