Delegacioni kosovar në takimet e sotme me BE-në - Foto: ZKM

Në Bruksel Bisedohet për Zbatimin e Marrëveshjes së Drejtësisë

Delegacioni i Kosovës në bisedimet e Brukselit me Serbinë ka njoftuar se sot me përfaqësues të BE-së kanë biseduar për Marrëveshjen e Drejtësisë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka drejtuar delegacionin kosovar, u angazhua që Marrëveshja për Drejtësi të fillojë zbatimin sa më shpejt si dhe njoftoi Bashkimin Evropian se Kosova ka bërë gjitha përgatitjet që të shtrihet sistemi unitar i drejtësisë edhe në veri të vendit, ku sipas Marrëveshjes do të ketë një gjykatë themelore kompetente për shtatë komunat siç përcakton Ligji për Gjykatat, si dhe një Zyrë Prokurorie.

“Po ashtu, çështjet lidhur me emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ tashmë janë në fazën finale si dhe çështjet në lidhje me Gjykatën e Apelit, deri në përfundimin e këtij procesi Kosova mbetet e përkushtuar t’i rrumbullakësojë në bashkëpunim të plotë me Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Sipas kumtesës, përfaqësuesit e BE-së vlerësuan progresin e arritur nga ana e Kosovës në zbatim e kësaj Marrëveshjeje, duke theksuar se do të angazhohen maksimalisht që ky proces të realizohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit.

Gjatë ditës së nesërme delegacioni kosovar do të ketë takime për çështjen e reciprocitetit për tabelat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë “me qëllim të finalizimit të planit zbatues në bazë të marrëveshjes së arritur më 14 shtator të këtij viti”.

“Po ashtu, do të vazhdojnë bisedimet për Marrëveshjen për Drejtësi për të definuar më tej detajet e procesit të zbatimit”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, pasnesër, në agjendë do të jetë çështja e vlerësimit të zbatimit të Marrëveshjes për njohje reciproke te diplomave.

“Ministrja Tahiri siguron se pavarësisht dezinformatave që mund të kenë dal nga pala serbe, në Bruksel nuk do të bisedohet për çështjen e Trepçës sepse Trepça dhe gjitha asetet e tjera janë të shtetit të Kosovës dhe për to asnjëherë nuk është biseduar dhe nuk do të bisedohet me askënd”, thuhet po ashtu në komunikatën e lëshuar nga Qeveria.

Disa prej raporteve të KALLXO.com lidhur me bisedimet e Brukselit mund t’i gjeni duke klikuar këtu.