Gjykata në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Ndihen të Pafajshëm 42 të Akuzuarit për Krim të Organizuar

Në gjykimin e 46 personave për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, 42 prej tyre u deklaruan të pafajshëm, ndërsa ndaj tre të tjerëve është veçuar procedura.

Pafajësinë e deklaruan biznesmenët Argëtim Ismaili, Armend Smaili, Arben Ismaili, Shkumbim Ismaili, Afrim Rrustolli, Besim Biberoviq, Mursel Çalakoviq, Bahri Rexhepi, Liridon Borovci, Haki Isufi, Radisav Mutavxhiq, Milan Stojanoviq, Mirko Iliq, Ramush Salihu, Zekri Salihu, Shkëlzen Salihu, Ismet Zeqiri, Blerim Avdylaj, Kujtim Avdylaj, Nexhmedin Bajrami, Dukagjin Kollçaku, Ardian Rraci, Ahmet Syla, Ruzhi Kolica, Afrim Hoti, Imri Bajrami, Alban Islami, Nimon Zogaj, Nezir Zogaj, Afrim Xhaçkaj, Rinor Rrustolli, Arben Rrustolli, Lulzim Kastrati, Gazi Tarashaj, Artan Kurpalaj, Florim Krasniqi, Reshat Kamberaj, Endrit Kllokoqi, Ramadan Mehmeti, Hasan Rexhepbeqaj, Zenel Isufi dhe Xhemail Islami.

Thanë se nuk ndihen fajtorë edhe zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Jarinjes Mensur Bekteshi, Vladislav Trajkoviq dhe Ramadan Bajra që në këtë proces gjyqësor akuzohen për keqpërdorim detyre.

Të pandehurit Imri Bajrami, Nimon Zogaj, Mirko Iliq dhe Mursel Qolakoviq nuk ishin të pranishëm në gjykatë.

Gjyqtari Burim Ademi njoftoi se i pandehuri Nimon Zoga sipas raportit policor të policisë dhe familjarëve të vet gjendet në Itali.

Edhe për të pandehurin Mirko Iliq, të cilit i është dërguar ftesa në Zubin Potok, policia e ka njoftuar gjykatës se ai tash jeton në Kragujevc të Serbisë.

Kurse Mursel Çalakoviqit gjykata i kishte dërguar ftesën përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEXI– it, urgjent në Novi-Pazar, por ende nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Avokati Tahir Rrecaj i cili u deklarua në emër të të gjithë avokatëve të pranishëm propozoi që të veçohet procedura për këta tre të pandehur.

Propozimin për veçimin e procedurës prokurori Agron Bajrami e konsideroi të pakuptimtë, pasi tha se së bashku të akuzuarit i kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.

Ai kërkoi që seanca të shtyhet dhe që seanca e shqyrtimit fillestar të caktohet për një ditë tjetër.

Gjykata pas marrjes së qëndrimit të prokurorisë dhe mbrojtësve të të pandehurve me aktvendim veçoi procedurën penale ndaj këtyre tre te pandehurve.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Agron Bajrami, 42 të akuzuarit u deklaruan se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzat e prokurorisë se nga veprimet e tyre kanë bërë shmangie të përgjithshme doganore dhe tatimore, në shumën prej mbi 2 milionë euro.

Pasi që të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Burim Ademi, aprovoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Shkumbin Ismajli, avokatit Tahir Rrecaj, i cili nga gjykata kërkoi që të mos mbahet shqyrtimi i dytë, por tu jepet afati prej 30 ditësh për kundërshtim të aktakuzës dhe provave.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit nga janari 2015 deri më 22 mars 2016 me dashje, me dijeni, në mënyrë të qëllimshme dhe në grup të organizuar kanë kryer vepra penale që janë të dënueshme me burgim se paku katër vjet.

Gjithashtu, të akuzuarit në mënyrë të sofistikuar kishin arritur të organizojnë tri skema të punës apo më saktë: import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit të saktë të mallrave të llojit cigare dhe kontrabandimit të tyre, kontrabandimit të produkteve farmaceutike dhe stimuluesve seksualë të llojit “Kamagra” dhe “Viagra”.

Në këtë mënyrë të gjithë këta në grup të organizuar duke u shmangur nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore  apo tarifave të tjera me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave të llojit cigare, produkte farmaceutike dhe stimuluesve seksual ë që rezultojnë me shmangie të përgjithshme doganore në shumë prej 1.666.842.07 euro dhe njëkohësisht duke iu shmangur obligimeve tatimore për mallrat e lartcekura dhe mosdeklarimit të saktë të pasqyrave financiare që rezultojnë në shumën prej 2,430,620.16 e që njëkohësisht është përfitim i kundërligjshëm gjatë periudhës së aktiviteti kriminal të këtyre të pandehurve të lartcekur.

Gjithnjë sipas aktakuzës të gjithë këta e kanë ditur që janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, për çka mund të dënohen me burgim mbi katër vite, mirëpo prapë kanë realizuar dëshirën e tyre me qëllim të realizimit të dobisë financiare, apo dobisë tjetër pasurore.

Në 19 pika të aktakuzës është përshkruar veç e veç veprimi i secilit prej të akuzuarve.