Isa Mustafa - Foto: Atdhe Mulla

Mustafa: Nga Koalicioni AKR-PAN Nuk Fitoi Askush

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas largimit të AKR-së nga koalicioni LAA dhe bashkimin e partisë së drejtuar nga Behgjet Pacolli me koalicionin PAN.

Lidhur me këtë, Mustafa ka thënë se presioni i çdoditshëm mbi Behgjet Pacollin e bëri të veten.

“E bëri të veten edhe oferta tepër gjeneroze ndaj biznesmenit Pacolli”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

“Ajo çfarë është e qartë nga ky koalicion është se nuk fitoi askush, as Pacolli me megaministritë e tij, as Ramushi me një qeveri asimetrike, as sekserët e “Listës Rugova” dhe më së paku fitoi Kosova, e cila më së shumti për gjashtë muaj do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale”, theksoi Mustafa.

Një qeverisje me numra në margjinën e shumicës së nevojshme, shtoi ai, nuk mund ta zhvillojë asnjë seancë normale të Kuvendit dhe të aprovojë ligje e lëre më të marrë vendime të mëdha.

“Vendimi më i madh dhe më i rëndësishëm do të jetë vetëzhbërja e tyre”, ka përfunduar Isa Mustafa.

Ndryshe, Behgjet Pacolli njoftoi sot pas një “dreke pune” me Isa Mustafën për largimin nga koalicioni LAA.

Pak orë më vonë, Pacolli nënshkroi marrëveshje me liderët e partive të koalicionit PAN.

http://kallxo.com/pacolli-zyrtarisht-i-bashkohet-koalicionit-pan/