Murati: Liderët të përgjigjen për shpenzimet e parasë publike

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar pas publikimit të faturave të shpenzimeve zyrtare të qeverisë nga KALLXO.com.

Murati që ishte edhe Ministër i Diasporës në një postim në Facebook tha se prej tyre duhet kërkuar përgjegjësia edhe për mungesën e përdorimit të produkteve vendore.

“Është shumë mirë t’i vendosim të gjithë bartësit e institucioneve publike para përgjegjësisë për mënyrën e shpenzimeve të parasë publike…të gjithë ne, të shohim sesi po sillemi edhe vetë në raport me prodhimet vendore. Kur futeni në supermarkete dhe bëni shpenzimet javore apo mujore, bëni të gjithë një bilanc personal sesa prodhime vendore përmban shporta e juaj”, shkroi Murati.

Ai po ashtu tha se duhet të shtohet presioni që këso lloj sjelljesh të shihen si të turpshme.

“ Sa më të vetëdijshëm ne si qytetarë, do t’i vëmë nën presion institucionet tona që të turpërohen jo vetëm kur abuzojnë me paranë publike, por edhe kur e shpenzojnë në prodhime të huaja, e për të cilat Kosova ka zëvendësime ndoshta edhe më të mira. Duhet të fillojmë të kemi besim në prodhimet tona, t’i promovojmë ato dhe të bëhemi edhe xheloz në atë që është prodhim origjinal dhe cilësor i joni”, përfundoi ai.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

Behgjet Pacolli paguan drekë në hotelin e tij, nga kuleta e shtetit

Dreka e Hajredin Kuçit me verëra italiane e spanjolle e shoqëruar me karkaleca deti

Hashim Thaçi pi verë që kushton 120 euro

Dreka e Hashim Thaçit ku piu 10 litra verë italiane me vlerë 500 euro