E pazakontë: Tetë drejtoritë e Istogut konsumojnë sasinë e njëjtë të kafes

Tetë drejtoritë e Komunës së Istogut dhe zyra për komunitete gjatë muajve janar, shkurt dhe mars të vitit 2018-të kanë konsumuar produktet e njëjta në sasi të njëjtë.

KALLXO.com e ka vërejtur këtë detaj në dokumentet e siguruara nga vet komuna e Istogut.

Drejtoria për shërbime publike, drejtoria për arsim, drejtoria për bujqësi dhe pylltari, drejtoria për buxhet dhe financa, drejtoria për urbanizëm, drejtoria për inspekcion, drejtoria për administratë, drejtoria për shëndetësi si dhe zyra për komunitete kanë konsumuar nga 28 makiato, 54 kafe turke, si dhe 5 neskafe.

Për këtë gjë KALLXO.com ka tentuar që ta marrë sqarimet shtesë , mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dhënë përgjigje.

Përveç konsumimit të produkteve të njëjta në sasi dhe periudhë të njëjtë, komunarët e Istogut janë përkujdesur që drekat dhe darkat zyrtare në fund ti shoqërojnë edhe me kafe.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com, komunarët e Istogut kanë pirë 4 mijë e 204 produkte të kafesë, të cilat buxhetit të kësaj komune i kanë kushtuar hiq më pak se 1mijë e 773 euro.

Në 39 –të faturat e analizuara më së shumti është konsumuar makiato (e madhe dhe e vogël), 2mijë e 378 të tilla.

Përveç makiatos në masë të madhe komunarët e Istogut preferojnë edhe kafenë turke ku janë pirë 1mijë e 469 të tilla, ndërsa neskafe janë konsumuar 354 të tilla.

Ajo çka mund të vërehet është se komunarët e Istogut e preferojnë në masë shumë të vogël kafen ekspres ku kanë konsumuar vetëm 3 të tilla.

Kallxo.com është duke i publikuar shpenzimet e Komunave të Kosovës në kuadër të dosjes SaHanKryetari.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.