Qeveria Haradinaj nuk i zbret aeroplanit harxhon më shumë për udhëtime

Shpenzimet e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës për udhëtime jashtë vendit janë rritur. Në vitin 2018-të, vizitat zyrtare jashtë vendit dhe shpenzimet për to kapën vlerën e mbi 12.5 milionë euro, me një rritje 2.48 milionë më shumë se një vit më parë. Për tri vjet në Kosovë nga buxheti i shtetit u hoqën mbi 32.9 milionë euro për këtë qëllim.

Në tri vitet e fundit, shpenzimet për udhëtime zyrtare ishin luhatshme. Në vitin 2016-të shpenzimet ishin 10 milionë e 348 mijë euro për të pasuar më pas në vitin 2017-të 10 milionë e 50 mijë euro.

Në 2018-ën, evidentohet vlera më e lartë e shpenzimeve në tri vitet e fundit apo 12 milionë e 537 mijë.

Në anën tjetër shpenzimet për udhëtime zyrtare jashtë Kosovës në vitin që shkoi vërehet se kishte një rritje të theksueshme.

Për dallim nga viti 2016-të e 2017-të, në vitin 2018-të, ato ishin më të larta për 2 milionë e 487 mijë euro. Shprehur në përqindje paraqet një rritje prej 24.7 për qind më shumë në raport me një vit më parë.

Bazuar në të dhënat e publikuara, zyrtarët e shtetit shpenzojnë mesatarisht mbi 10.9 milionë euro për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Vlen të përmendet se në muajin qershor të vitin 2018-të, Ministria e Financave kishte marr vendim për ndryshimin e tarifave e mëditjeve për udhëtimet zyrtare jashtë shtetit.

Vizitat zyrtare jashtë në kohët e qeverive Mustafa e Haradinaj

Në vitin 2017-të, vetëm shpenzimet për udhëtim zyrtarë jashtë vendit  kishin vlerën e 4 milionë e 710 mijë euro.

Në anën tjetër mëditje për udhëtim ishte më e lartë për 46 për qind. Zyrtarët e shtetit që dolën jashtë për vizitë zyrtare morën mëditje 4 milionë e 428 mijë euro apo 1 milionë e 398 mijë euro më shumë. Në vitin 2017-të, këto shpenzime kishin vlerën e 3 milionë e 30 mijë euro.

Për qëllime të akomodimit të zyrtarëve të shtetit të cilët dolën jashtë Kosovës për vizitë zyrtare, nga buxheti i shtetit janë paguar 2 milionë e 958 mijë euro. Në raport me një vit më parë, në 2018-ën vërehet se kemi një rritje të shpenzimeve për akomodimin e zyrtarëve nëpër hotele në vlerë prej 1 milionë e 281 mijë euro që paraqet një rritje prej 76 për qind.

Gjithashtu udhëtimet zyrtare jashtë shteti janë shoqëruar me shpenzime tjera të cilat kishin vlerën e 1 milionë e 155 mijën euro. Edhe këto shpenzime të pa specifikuar u rritën për 82 për qind më shumë se një vit më parë. Në vitin 2017-të ato e kishin vlerën e 633 mijë euro.

Viti 2016-të kur vendi udhëhiqej nga ish-kryeministri Isa Mustafa, shpenzimet për udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe shpenzimet tjera për to kishin vlerën e 10 milionë 348 mijë euro, apo 2.2 milionë euro më pak se sa shpenzimet e bëra në kohën e kryeministrit Haradinaj.

Shpenzimet në kohën e qeverisjes Haradinaj janë më të larta rreth 2.5 milionë euro më shumë se në raport me vitin 2016-të ku timonier i Qeverisë ishte Isa Mustafa.

Në anën tjetër, Në vitin 2017-të, Gazeta Jeta në Kosovë kishte bërë një hulumtim se sa i kushton rritja e numrit të Ministrive dhe Zëvendës ministrave buxhetit të vendit. Numrin i madh të zëvendës ministrave e kishte konsideruar sfidë edhe për Ministrinë e Administratë Publike ministri i këtij dikasteri Mahir Yagcilar.

Shpenzime për udhëtime zyrtare janë realizuar edhe nga deputetët e Kosovës. Sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për tre muaj të vitit 2018-të,  deputetët e Kosovës shpenzuan 112 mijë euro për shpenzime jashtë vendit.

Zyrtarët e shteti nuk e kursyen luksin edhe në të kaluarën

Nga publikimi i faturave të shpenzimeve të institucioneve publike vë në pah se zyrtarëve qeveritarë edhe në të kaluarën nuk e kursyen luksin në udhëtimet e tyre jashtë Kosovës.

Ekipi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi kishte tejkaluar shpenzimet e hotelit gjatë një vizite zyrtare në Itali për rreth 840 euro.

Ministrja e Integrimeve Evropiane që dikur kishte shërbyer si këshilltare e Kryeministrit Thaçi kishte tejkaluar shpenzimet e parapara në një udhëtim zyrtar në Londër.

Dhurata Hoxha kishte kërkuar 2 mijë e 500 euro avans për udhëtimin drejt ‘Panairit të Sigurisë ‘ në Londër ku kishte marrë edhe ish- Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Lidhur me këtë udhëtim, në faturat zyrtare të siguruara nga KALLXO.com u përfshi edhe arsyetimi i Hoxhës për tejkalimin e shpenzimeve të hotelit.

Në udhëtimin e tij për në ShBA në prill të 2012-tës Hashim Thaçi kishte ulur në ulëset Bussnes Clas vetëm Bekim Çollakun. Faturat e biletave të aeroplanit dëshmojnë se pjesa tjetër e ekipit ishte ulur në ulëset e klasit ekonomik që atëkohë kushtonin rreth 2 mijë euro më lirë. Kallxo.com zbulon se për udhëtimin  në vizitë në Amerikë, Hashim Thaçi kishte paguar 3 mijë e 240 euro. Edhe Ish- Zëvendës Kryeministrja, Edita Tahiri, në mars të vitit 2011 kishte udhëtuar për vizitë zyrtare në Ëashington. Ky udhëtim i Edita Tahirit nuk ishte bërë dosido. Bileta e saj e avionit ishte paguar për ‘business class’ me vlerë prej 4 mijë e 480 euro.

Shpenzime të larta zyrtare janë realizuar edhe nga zyrtarët e tjerë. Lidhur me shpenzimet për drekat zyrtare, udhëtime zyrtare nga institucionet e shteti KALLXO.com tash e sa kohë është duke i publikuar fatura e shpenzimeve dhe luksin e zyrtarëve edhe nëpër komunat e Kosovës.

Gjithashtu KALLXO.COM KA publikuar edhe raportet 100 ditore të zëvendës ministrave ku në mes tjerash përmenden edhe vizitat zyrtare jashtë vendit të tyre.

Për më shumë kliko këtu