Ndeja e fundvitit në 'Hamam Jazz' e organizuar nga Kadri Veseli buxhetit i kushtoi afro 5 mijë euro

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherazi i pari i PDK-së, Kadri Veseli, po del të jetë merakli i ndejave.

Ndeja për fundvit, që ishte organizuar më 21 dhjetor të vitit 2017, buxhetit të shtetit i kishte kushtuar plot 4 mijë e 860 euro.

Kjo nuk ishte e vetmja ndejë e organizuar nga Kadri Veseli.

KALLXO.com raportoi kohë më parë se kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte organizuar edhe ndejën e fundvitit për vitin 2018 e cila kishte kushtuar afër 4 mijë euro të tjera.

Ndeja e fundvitit ishte mbajtur në lokalin “Hamam Jazz” në Prishtinë, ndërsa nikoqiri, Kadri Veseli kishte pritur mysafirë nga ambasadat në Kosovë, përfaqësues nga mediat e shkruara dhe elektronike dhe anëtarë nga shoqëria civile.

Fatura që ka siguruar KALLXO.com nuk përshkruan shumë detaje të pijeve dhe ushqimeve të konsumuara atë natë. Si çmim total i faturës është vendosur shifra prej 4 mijë e 860 euro.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për shpenzimin e parasë publike zyrtarët e lartë publik.