Në përvjetorin e Pavarësisë, Kadri Veseli i gostit miqtë me ujë italian

Një vit më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte mbledhur shumë miq për të festuar 10 vjetorin e Pavarësisë së vendit.

Në hotel “Emerald”, kryetari i Kuvendit si nikoqir priti homologët nga vendet e rajonit dhe mysafirë të tjerë për festimin e 17 Shkurtit. Krejt kjo mbledhi, buxhetit të shtetit i kushtoi 2 mijë e 960 euro e 50 centë.

KALLXO.com ka siguruar faturën e shpenzimit nga dreka e festimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga kreu i Kuvendit të Kosovës.

Në faturë janë të listuara kryesisht produkte të huaja të konsumuara në atë drekë.

Espresso, kafe filtër, makiato, nesskafe e çaj në faturën e siguruar figurojnë gjithsej 72 copë në vlerë prej 105 euro e 70 centë.

Uji që u shtrua për mysafirët ishte nga Italia, “Acqua Panna” dhe “San Pellegrino”. Gjithsejtë ishin 72 copë, ndërsa një ujë kishte çmimin 2 euro e 6 centë, e që në total uji për drekën kushtoi 174 euro e 70 centë.

Më shumë kushtuan pijet alkoolike dhe joalkoolike që ishin 75 copë e që në total arritën shifrën e 217 euro e 10 centë.

Ushqimi, që në faturë llogaritet si “Darkë- set menu” ishte 42 copë me çmim prej 21 euro e 19 centë. Në total kjo menu kushtoi 1 mijë e 50 euro.

Sallatë sezonale dhe rokullë ishin 34 copë që në total kushtuan 183 euro.

Ndërsa, file salmoni, biftek gjedhi, bistek levreku ishin 80 copë me çmim 10 euro e 17 centë copa. Në total nga këto lloje mishrash fatura arriti shifrën 960 euro.

Për fund, dreka u përcoll edhe me desert. Sallatë të frutave, panna cota e akullore ishin 34 copë e që në total kushtuan 269 euro e 61 centë.

Të gjitha këto porosi për festimin e Pavarësisë vitin e kaluar kushtuan 2 mijë e 960 euro e 50 centë.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi mbi shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publik.

Ndërsa, ditë më parë ne raportuam për një iftar që kishte shtruar i pari i Kuvendit gjatë vitit të kaluar e që i kushtoi mbi 1 mijë e 600 euro.