Mungesa e Faktorit VIII Rrezikon Pacientët me Hemofilinë A

Ka dhjetë vjet që djali i saj 13-vjeçar është diagnostikuar me Hemofilinë A, një sëmundje e gjakut.

Por, për nënën Xh.K. situata rëndohet nga mungesa e Faktorit VIII në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një medikament jetik për djalin e saj.

“Ka bazë nervore, ka dhimbje të pandalshme, ka gjakderdhje, duhesh me rujtë, shumë ka probleme”, thotë nëna e merakosur.

Ajo tregon se ka ndodhur që djali i saj të rrëzohet dhe gjakderdhja të mos i ndalet me ditë të tëra.

E vetmja mënyrë, sipas saj, për ta kthyer djalin në gjendje normale është Faktori VIII.

“Ka shumë familje me Hemofili. Si shokë e shoqe më kanë ndihmuar, ua kam kërku e ma kanë dhanë. Ndodhë që një rast që e ka pasur për vete por kur rasti i djalit tim ka qenë më i rëndë ma kanë dhënë shoqja se jemi shumë të tilla e shkojmë tu i ndihmu shoqja-shoqes. Përpara spitali ka pasur e na ka dhënë së paku nga një rezervë në shtëpi, tash jo”, tregon Xh.K.

Nëna e 13-vjeçarit tregon po ashtu se djali i saj qe tri javë nuk ka marrë Faktor VIII edhe pse dy muaj më parë ka pasur gjakderdhje në kokë dhe ka qenë pa vetëdije për disa ditë.

Për shkak se medikamenti është jetik për të birin, Xh.K. tregon për raste kur është detyruar të blejë me paratë e saj.

“Po e kam ble në barnatore private, e kam porosit, ma kanë pru. Edhe e kam ble nga shoqet kur ka dashtë me i dalë afati i Faktorit të ndonjë pacienti tjetër më ka thanë hajde merre se po don me i dalë afati, ka kushtu varet sa e ka ble vetë, 300 euro ose 250 euro“, thotë nëna e djaloshit të sëmurë.

Në mungesë të medikamentit, gjendja e djalit ka filluar të përkeqësohet.

Këmba e tij është enjtur shumë dhe si pasojë ai nuk mund të ndjekë as mësimet apo ndonjë aktivitet tjetër.

Zyra për Informim e QKUK-së thotë se për Faktorin VIII kërkesa për furnizim sipas planifikimit të miratuar është proceduar më 16 shtator 2016 në sasi prej 300 ampulash.

“Pas situatës emergjente të krijuar si pasojë e mungesës së këtij produkti, operatori ekonomik ka furnizuar vetëm me 10 ampula me datë 21 tetor 2016, të cilat urgjentisht i kemi distribuar në Klinikën e Pediatrisë – reparti hemato-onkologji pediatrike. Për nje pacient fëmijë kemi huazuar dy ampula nga SP Gjakovë më datë 9 nëntor 2016, të cilat po ashtu i kemi dërguar me urgjencë në këtë repart për t’ia administruar një fëmije me Hemofili A që ishte në gjendje më të rëndë”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë tha se Departamenti për Shërbime Farmaceutike ka njoftuar se furnizimi me këtë medikament do të bëhet shumë shpejt.

“Sipas informatave të dhëna nga Departamenti për Shërbime Farmaceutike të AFSh-së, ju njoftojmë lidhur me interesin e juaj për furnizimin të SHSKUK-së me Faktorin VIII, se furnizimi do të bëhet gjatë kësaj jave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi se në QKUK ka mungesë të manteleve sterile që përdoren për ekipet e sallave të operimit.

http://kallxo.com/mungese-e-manteleve-sterile-ne-qkuk/

Në korrik, KALLXO.com raportoi edhe për problemet me infrastrukturë të Qendrës së Shëndetit Mendor.

http://kallxo.com/veshtiresite-e-qendres-se-shendetit-mendor-ne-prishtine/

Ndërsa, në mars të këtij viti, KALLXO.com raportoi se për shkak se QKUK nuk blen material për operime ortognatike, mjekët e Kirurgjisë Maksillofaciale po shfrytëzojnë pllakat e sjella nga kolegët e tyre evropianë, e të cilat janë hequr nga pacientët e vendeve të tyre, dhe po ua vendosin pacientëve kosovarë.

http://kallxo.com/pllakat-e-pacienteve-te-huaj-u-vendosen-pacienteve-kosovare/

Kurse, në dhjetor të vitit të kaluar në emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për gjendjen në shëndetësinë e Kosovës dhe si trajtohen pacientët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-a-ia-vlen-te-shtrihesh-ne-qkuk/