Pasaporta

MPB e Pranon Dështimin 5 Milionësh

Ministria e Punëve të Brendshme e ka pranuar sot që ka e ka pranuar një vendim nga Gjykata e Arbitrazhit e Odës Ndërkombëtare të Tregtisë me të cilin ministria detyrohet të paguajë t’i paguajë rreth 5 milionë euro një shtypshkronje austriake të kontraktuar vite më parë për shtypjen e pasaportave.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Driton Gashi, deklaroi se dje nuk ishin të përgatitur për t’u përgjigjur në lidhje më këtë vendim.

“Kemi pranuar një version elektronik dhe kemi filluar t’i analizojmë të gjitha pjesët e saj, sidomos pjesët që ne mund t’i konsiderojmë si çështje kontestuese dhe se cilat do të jenë veprimet e mëtutjeshme të Ministrisë në këtë betejë ligjore,” tha në mes tjerash sekretari Gashi.

Ai e ka vlerësuar këtë vendim të arbitrazhit si shumë serioz, pasi që sipas tij ndikon në kredibilitetin e Ministrisë dhe Qeverisë duke shtuar se do të kërkohet përgjegjësi administrative në lidhje më këtë rast.

Ndërsa avokati i MPB-së në këtë rast, Gazmend Nushi e pranoi që vendimi nuk mund të apelohet, por ka rrugë juridike që mund të anulohet.

“Nuk është i apelueshëm, nuk mund të ankimohet në ndonjë fazë më të lartë, por nisur nga Konvenenta e Nju Jorkut e vitit 1954 për njohje të ekzekutimit të vendimeve të Arbitrazhit, MPB do të nis procedurën për anulimin e këtij vendimi”, tha avokati Nushi.

Duke i mbështetur deklaratat e tij në këtë konventë, Nushi thotë se fjala e fundit i takon Gjykatave vendore, të cilat do ta njohin ose jo këtë vendim të arbitrazhit.

Megjithatë ai e pranon që as në Kosovë po as në ndonjë shtet tjetër të rajonit nuk ka ndonjë rast kur Gjykatat nuk e kanë njohur një vendim të Gjykatës së Arbitrazhit.