Pasaporta e Kosovës, Foto: Flaka Fazlija - Kallxo.com

Sveçla: Nga 1 janari janë rreth 124 mijë kërkesa për pasaporta

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se që nga 01.01.2024 janë diku rreth 124 mijë kërkesa për pasaporta.

Kështu tha ministri gjatë përurimit të objektit të ri të Drejtoratit për Prodhimin e Dokumenteve që funksionon në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil.

Pjesëmarrës në inaugurim ishin kryeministri Albin Kurti dhe u.d. i drejtorit të ARC-së, Blerim Camaj.

Kurti uroi punëtorët e këtij departamenti dhe falënderoi ata për punën e tyre.

“Sot vizituam dhe përuruam objektin e ri për prodhimin e pasaportave në Republikën e Kosovës” – tha kryeministri.

Tutje ai tha se bashkëbiseduan me punëtorët, për të cilët tha se tash i kanë kushtet shumë më të përshtatshme për punën e rëndësishme dhe të ndjeshme që bëjmë, pra prodhimin e pasaportave.

Kurti shtoi se vlera e gjithmbarshme e këtij objekti në punimet që janë kryer tashmë është 1.5 milionë euro.

Kryeministri shtoi se gjithsej zyrtarë në aplikimin për pasaporta në Kosovë janë 196, 20 prej tyre janë në Prishtinë.

Ndërsa tek sektori për prodhimin e pasaportave Kurti njoftoi se janë 95 zyrtarë.

Në anën tjetër ministri i Brendshëm, Sveçla falënderoi qytetarët për mirëkuptimin ditëve të fundit, për vonesat në ofrimin e shërbimeve.

“Kjo ka ndodhë për shkak të bartjes së institucionit nga selia e vjetër në selinë e re, tashmë këto vonesa janë duke u tejkalu” – tha i pari i MBP-së.

Tutje ai shtoi se kërkesa të shtuara ka pasur edhe pas liberalizimit të vizave.

“Falë punës së zyrtarëve ne në vazhdimësi kemi arrit që t’i plotësojmë kërkesat e qytetarëve, sidomos ato që kanë qenë me urgjencë” – tha Sveçla.

Që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në Zonën Schengen. Fillimisht në mesin e këtyre vendeve nuk bënte pjesë Spanja. Disa ditë më vonë u dha lajmi që edhe Spanja njohu pasaportën e Kosovës dhe qytetarët mund të udhëtonin edhe drejt vendit iberik që është njëri nga vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të Zonës Schengen.

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Emiratet e Bashkuara Arabe nga data 22 shkurt 2024.

Derisa edhe Mbretëria e Bashkuar hoqi vizat për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.