22 vjetori i rënies së heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha

Motra e heroit: Kthehuni 22 vite dhe kujtoni amanetin e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës

Kosova, 22 vite më parë humbi komandantin dhe dy personalitete më domethënëse të luftës për liri dhe pavarësi.

Kështu u tha gjatë akademisë përkujtimore me rastin e 22 vjetorit të rënies së heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Fakete Hoxha, motra e Edmond Hoxhës pati një porosi.

“Prapë sot më duket se kanë një porosi, kthehuni para 22 viteve ata që ishit, kujtoni edhe sot. Kthehuni tek vetja, kujtojeni karakterin tuaj për Kosovën dhe vendosni sot siç keni qenë atëherë së bashku”, tha Hoxha.

Ish- komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa i njohur si ‘Remi’ përkujtoi heronjtë duke i cilësuar si emblemë të luftës për lirinë e vendit.

“Sot 22 vite më parë i gjithë kombi ynë përjetoj një prej goditjeve më të rënda. Humbëm një prej personave, humbëm drejtuesin emblemë të ushtrisë çlirime. Lufta jonë ishte shembullore, lufta përfundimisht hapi rrugën dhe perspektiven për një jetë me të mirë. Komandanti Zahir Pajaziti nismëtari ishte strateg dhe emblemë. Ai reflektonte zotësi, komunikim, afrim me të gjithë ata që do të vinin si një mbështetje e fuqishme”, u shpreh ai.

“Hakifi ishte hija dhe mbështetja e komandantit. Edmond Hoxha është dëshmi e tejkalimit e rrethet krahinore të ushtrisë së Kosovës dhe synim i madhështisë, dhe emblemë për të gjithë rininë. Komandant Zahir Pajaziti bashkë më këta dy nuk u ndalen në misionin e tyre të shenjë. Jemi më fat që i takojmë epokës se ushtrisë”, përkujtoi Remi.

Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë, u shpreh se rënia e heronjve ishte sa heroike edhe krenare në mbrojtjen e identitetit dhe krenarisë kombëtare.

“Për një kohë lufta çlirimtare ra ndesh me filozofinë dhe politikën e kohës. Më vonë u ndryshua, dalja e UÇK prishën status-quon. Lufta e UÇK ishte e mbështetur në mendje të mëdha ideore. Mbështetur ne këtë madhështi e heronjve siç ishte Zahir Pajaziti me luftëtarë të tij u arrit që të arrihet çlirimi dhe liria”, tha Syla.

Në këtë akademi përkujtime ishte paralajmëruar prezenca e Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçit, i cili mungoi.

Thaçi gjatë kësaj kohe bëri homazhe te shtatorja e heroit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.