Thaçi bën homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e përvjetorit të 23-të të rënies së heroit, Zahir Pajaziti ka bërë homazhe para shtatores së tij në Prishtinë.

Thaçi ka deklaruar se po nderojnë me prioritet dhe respektimin më të lartë shtetëror jetën dhe veprën e gjithë luftëtarëve të UÇK-së që ranë ne istikamet e luftës.

“Sot është një ditë e veçantë për shtetin e Kosovës për kombin shqiptar. Përvjetori i rënies heroike të një prej komandantëve legjendar të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Haki Zejnullahu, njerëzve që kanë bartur mbi supet e veta fillimet e organizimit të UÇK-së, të këtij projekti të shenjtë që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, prandaj sot nderojmë me prioritet dhe respektimin më të lartë shtetëror jetën dhe veprën të këtyre komandantëve dhe gjithë luftëtarëve të UÇK-së që ranë ne istikamet e luftës”, tha ai.