Llada në të cilën u vranë Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Rezistenca e 'Lada'-s ku u dhanë tri jetë

Në katër anët e rrethuar me xhama ekspozues, “Lada” e modës së vjetër e Hakif Zejnullahut në të cilën u vra me dy shokët e tij të luftës, Zahir Pajazitin dhe Edmond Hoxhën qëndron relikt i vjetër në oborrin e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjurmët e breshërisë së plumbave kanë zbehur gjelbërsinë “Lada”-s së vjetër me targat PR-137-979. Vrimat e ndryshkut janë vetëm disa nga shenjat e mbetura nga shkrepjet e plumbave që vranë tre dëshmorët e Kosovës.

Hakif Zejnullahu së bashku me dy shokët e tij të luftës, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha ishin vrarë nga forcat serbe në “Ladën” e vogël në Pestovë të Vushtrrisë më 31 janar 1997.

Përderisa ende nuk dihet se si erdhi deri te vrasja e tyre, vetura në të cilën u vranë qëndron relikt në oborrin e bazës së parë ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shtëpinë e Hakif Zenjullahut në Lladoc të Podujevës.

Historia e ‘”Lada”-s së modës së vjetër është e gjatë. Destinacioni i saj i fundit është brenda një kutie të xhamit.

‘Lada’ në të cilën u vranë Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Në vitet e 90-a, Zejnullahu “Lada”- n e kishte përdorur për nevoja të përditshme. Por, në vitin 1997 në të kishte gjetur vdekjen nga forcat serbe. Familjarët edhe pse i kishin gjetur tre trupat e vdekur, “Lada”-n nuk e kishin gjetur deri pas përfundimit të luftës.

Historinë e ‘Lada’-s dhe fatin e Hakif Zejnullahut e rrëfeu për Prishtina Insight, mbesa e tij, Floretë Zejnullahu. Edhe pse ishte vetëm tre vjeçe e gjysmë, ajo si gjeneratë e tretë, pas 26 vitesh shpalosi rrëfimet e dëgjuara nga gjyshi dhe babai i saj.

“Ditën kur janë vrarë me 31 janar në vitin 1997, axhi im Hakifi ka marrë një telefonatë urgjente prej Zahirit me mjetet e komunikimit të atëhershme. Ai e kishte thirrur me qenë urgjent në Prishtinë. Ai është nisë me veturën e tij drejt Prishtinës. Më pas prej Prishtinës janë nisë në drejtim të Vushtrrisë ku në Pestovë të këtij qyteti kanë hasur në një pritë të organizuar të forcave serbe” – tregoi Zejnullahu.

 Lajmin për vdekjen e tyre familja thonë që e kishin marrë 15 minuta pas mesnatës.

Në natën kritike, lajmin për vdekjen e Hakifit, familja e kishte marrë nga vjehrri i motrës së tij. Sipas rrëfimit të Zejnullahut, një e afërme e tyre që punonte në Spitalin e Prishtinës e kishte marrë lajmin e para për vdekjen e bashkëfshatarit të saj, e cila më pas kishte përcjellur lajmin mortor për t’ua treguar familjarëve.

“Ai [vjehrri i halles] ka ardhur natën e 31 janarit rreth orës 12:15 në mbrëmje dhe e ka pyet gjyshin se ku i ke djemtë. Po tregoj qysh më ka thënë gjyshi: I ka thënë “Ku i ke djemtë Sabit?”  Ai i ka thënë: “Dy i kam këtu e një Zoti e dinë ku”.  Ai ka thënë “Atë që se dinë është vetë i treti i vramë në morgun e Prishtinës,” tregoi mbesa e tij.

Se kush janë vrasësit me emër dhe mbiemër dhe si ka ardhur deri te vrasja e tre heronjve kombëtar nuk dihet as sot pas 26 viteve. Vetura e tyre ka mbetur si “dëshmitare” e asaj date të kobshme.

Deri pas luftës veturën nuk e kishin gjetur askund. Pas luftës një person e kishte lajmëruar familjen Zejnullahu se “Lada” gjendet në lagjen “Te Qafa” në Prishtinë. Familjarët “Lada”-n e kishin gjetur të përgjysmuar në garazhën që më parë kishte qenë e Sekretariatit për Punë të Brendshme. 

Lada në të cilën u vranë Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Brenda veturës kishin hasur edhe në shenja gjaku, të cilat tashmë nuk shiheshin. Tashmë, veturën e kishte kapluar vjetërsia.

Pas gjetjes së “Lada”-s, familjarët e kishin vërejtur që iu kishin vjedhur disa pjesë të cilat ia kishin zëvendësuar me të reja. Pjesa e përparme e veturës dhe timoni i janë vendosur të tjera të cilat i përshtaten. 

Deri në vitin 2015, vetura kishte qëndruar brenda një rrethuesi prej xhami. Në të njëjtin vit ishte themeluar Kompleksi Memorial pikërisht në shtëpinë e Hakif Zejnullahut, në Bazën e Parë të UÇK-së. Vetura është vendosur nga të katër anët në një kuti të xhamit mbrojtës më të sigurt për ekspozim.

“Tash kur kanë kaluar ma shumë se 23 vite prej luftës dhe në çdo cep të luftës na kemi gjurmë dhe dëshmi të gjenocidit që e ka kry regjimi serb në Kosovë. Një prej tyre e kemi edhe ne këtu, një pjesë të vlerës së kësaj lufte në Lladoc” – tha Floretë Zejnullahu.

Vetura ngjyrë gjelbër qëndron në mes të oborrit afër trI figurave të të vrarëve. Në anën tjetër, vitin e kaluar i është vënë edhe kamioni i Hakif Zenjullahut i vendosur nën xham. Ndryshe nga vetura e cila ishte vjetëruar dhe gomat e kishin lëshuar, kamionin e kishin lyer me ngjyrë.

Lada në të cilën u vranë Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Babai i Hakifit ua kishte lënë amanet para vdekjes dhe një shumë të ruajtur nga pensioni që edhe kamioni të futet nën xham, njësoj sikurse vetura.

“Edhe vetura edhe kamioni ka qenë në pronësi të axhës, të Hakifit që i kanë shërby si mjete për me i kry një pjesë të aksioneve. Përveç veturës e kanë përdorë edhe kamionin në atë kohë kur kanë dashtë me i ikë gjurmëve dhe mos të duken çdo herë me veturën e njëjtë,” tregoi mbesa.

Zejnullahu thotë që kanë shumë vizitorë sidomos gjatë verës. Me përfundimin  e shtëpisë muze do të vendosin dhe gjësende tjera për të cilat presin edhe më shumë vizitorë nga jashtë.

Në fundin e vitit të kaluar, fotografia e “Lada”-s ishte përzgjedhur një nga fotografitë më të mira nga revista amerikane “National Geographic”.

“Ka qenë një ndjenjë krenarie për ne jo vetëm si familje, por për të gjithë popullin shqiptar. Fotoreporterët e kësaj reviste amerikane kishin bërë diku rreth 2 milionë e 300 mijë fotografi në të gjithë botën, dhe me u zgjedh dy fotografi më të mira prej Kosovës, ndër 49 fotografitë më të mira në botë është ndjenjë shumë  e mirë për neve dhe ndjenjë krenarie,” u shpreh ajo.

Mbesa e Hakif Zejnullahut, Floretë Zejnullahu. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Floreta tregoi që kërkesën për të bërë fotografi nga “National Geographic” e kishte marrë në fund të vitit 2021 me idenë që të fotografohet një vajzë në politikë e cila është pasardhëse e familjes se heronjëve.

“Deri atë kohë edhe në çdo kur ai ka qëndru në shtëpi unë kam qenë në prehërin e tij, jam rritë me të, me dashninë e tij dhe jam e lumtur dhe shumë krenare që jam mbesa e heroit” – tha e ngazëllyer 29-vjeçarja, e cila në atë kohë kishte qenë vetëm tre vjeçe e gjysmë.

Zejnullahu thotë që misioni i veturës dhe atyre që kanë qenë duke e drejtuar veturën ka qenë liria dhe pavarësia e Kosovës, por misioni i tyre nuk llogaritet i përmbushur për neve përderisa bashkëluftëtarët e tyre përballen në Hagë.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.