Kurti e Osmani bëjnë homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donka Gërvalla bëjnë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, me rastin e 26-vjetorit të rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani tha se kjo është një prej ditëve më të lavdishme të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtoi se përkujtimi për dëshmorët do të jetë i përjetshëm.

“Kjo ditë është një prej më të lavdishme të histrorisë së UÇK-së dhe të gjithë Kosovës e cila u ndërtua mbi themelet e forta dhe ato mbesin të forta për shkak se u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve dhe heronjve tanë. Përkujtimi dhe respekti për ta do të jetë i përjetshëm por edhe puna jonë e përditshme në forcimn e shtetit do ta ketë udhërrëfyes këtë sakrificë”- u shpreh Osmani.

Kryeministri Kurti tha se duke kujtuar komandantin Pajaziti dhe dëshmorë të tjerë të kombit, tregohet se sa i madh ishte çmimi për lirinë.

“Para 26 viteve, komandanti Zahir Pajaziti së bashku me Hakif Zenjullahun dhe Edomond Hoxhën ranë heroikisht në Pestovë të Vushtrrisë, ata ishin kushtrimi për luftë çlirimtare por edhe pararendës të UÇK-së meqë kryenin aksione çlirimtare dhe para se të fillonte lufta. Duke kujtuar e përkujtuar komandantin Pajaziti dhe dëshmorë tjerë të kombit, në të njëjtën kohë tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, shtetin tonë e pavarësinë dhe sa i vlefshëm për të tashmen e të ardhmen ky kujtim që bëhet nga institucionet po ashtu edhe nga qytetarët e vendit”- deklaroi Kurti.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja Gërvalla theksoi se është e rëndësishme që sakrifica e dëshmorëve të jetë udhërrëfyes në punët e shumta.

“Në ditë si kjo është e rëndësishme të kujtohet sakrifica e tre heronjve që po përkujtojmë sot. Të gjithë ushtarët trima të UÇK-s, të gjithë ata që rezistuan në forma të ndryshme deri në lirinë e Kosovës por, është edhe më e rëndësishme që kjo sakrificë të jetë gjithmonë udhërrëfyesi ynë në punët e shumta që kemi për të bërë çdo ditë për të jetësuar idealet e tyre dhe një shtet demokratik ashtu siç e dëshiruan Zahiri me shokë por edhe ata që u sakrifikuan për liri”- tha Gërvalla.

Të pranishëm në homazhe janë parë edhe ministra të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit.