Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto: Atdhe Mulla
Motra dëshmon në kontestin për pronë mes vëllait dhe motrës së saj
Në seancën e shqyrtimit kryesor në rastin ku motra Sh.P. ka paditur vëllain H.P. lidhur me pronën të cilën sipas padisë paditësja e kishte trashëguar nga babai ka dëshmuar L.P., motra e paditëses dhe e të paditurit.
Dëshmitarja pasi shikoi një deklaratë nga viti 2008 sqaroi para Gjykatës së Mitrovicës atë çfarë shkruante në të.
Sipas saj, vëllezërit dhe motrat e tjerë kishin ndarë pasurinë e lënë nga babai i tyre.
Ndërsa dëshmitarja vetë pasurinë e saj prej 20% sa i kishte takuar ia kishte lënë 10% motrës së saj, në këtë rast paditëses Sh.P. dhe pjesën tjetër prej 10% vëllait të saj, në këtë rast i padituri.
Ajo më pas shtoi se vëllai i tyre H.P., tashmë i paditur, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre e kishte kthyer tokën në emër të tij.
Tutje dëshmitarja tregoi se ajo dhe motra e saj Sh.P. (paditësja), sa kishte qenë babai i tyre gjallë ishin kujdesur në të gjitha aspektet për të.
Por, ajo e cila edhe me shumë ishte kujdesur për prindin, sipas dëshmitares, ka qenë tashmë paditësja Sh.P.
Pas pyetjes se gjyqtarit Faton Ademi se cili kishte qenë qëllimi i babait rreth ndarjes se pasurisë në kohen sa ishte gjallë, dëshmitarja sqaroi se qëllimi i babait kishte qenë që gjithsesi një pjesë të pasurisë t’ia linte Sh.P.-së, e cila edhe e kishte shfrytëzuar pronën me babanë sa kishte qenë gjallë duke u kujdesur për të.
Bazuar në këtë padi, Sh.P. kishte banuar në katin e parë të shtëpisë, e cila gjendej në këtë pronë, së bashku me djalin, motrën dhe babanë e saj për të cilin ishte kujdesur deri në vdekjen e tij.
Ajo në këtë shtëpi katin e shtëpisë e kishte trashëguar nga babai i saj, ndërsa në përdhes kishte banuar vëllai i saj, H.P. me familjen e tij të ngushtë.
Pas vdekjes së babait, H.P. më 2008 kishte paraqitur në Gjykatë padi për vërtetimin e pronësisë në ngastrën kadastrale në vendin e quajtur “Nemanjina“, me kulturë arë në sipërfaqe prej 0.06.60 ha, në zonën kadastrale Mitrovicë e Veriut.
Ndërsa, Sh.P. pasi që kishte kuptuar lidhur me këtë kërkesë të vëllait menjëherë në cilësi të bashkëndërgjyqësit kishte parashtruar kërkesë për vërtetim të së drejtës së pronësisë në një pjesë të ngastrës kadastrale, sepse kjo sipas saj ishte pronë e përbashkët, e saj dhe vëllait, pas vdekjes së babait B.P.
Sipas padisë, këtë pronë e kishin mbajtur në posedim dhe shfrytëzim të papenguar nga askush (e trashëgonin ) si pasardhës të tij.
Ndërsa pas aprovimit të kërkesëpadisë detyrohet i padituri H.P. që paditëses Sh.P. t’i njohë të drejtën e pronësisë në 1/2 e ngastrës kadastrale në sipërfaqe prej 0.06.60 ha, në vendin e quajtur “Nemanjina” dhe të njohë të drejtën e pronës në shtëpi, si dhe t’i dorëzojë këto paluajtshmëri në posedim dhe shfrytëzim të lire, të qetë e të papenguar.
Në seancë nuk prezantoi i padituri H.P., i cili ishte njoftuar me rregull për seancën e sotme dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 20 qershor.