Ratko Mladiq në kohën e luftës. Foto: Anadolu

Monument për Ratko Mlladiqin në vendlindje

Një monument mural në nder të ish-komandantit serb të Bosnjës Ratko Mlladiq, i cili është ngritur në hyrje të qytetit të tij të lindjes Kalinovik, u kritikua se lartëson të pandehurin për krime lufte.

Monumenti mural prej 3.5 metrash i lartë ku paraqitet Ratko Mlladiq me uniformë dhe duke përshëndetur, që u vendos kohët e fundit në qytetin e tij boshnjak të lindjes Kalinovik, është kritikuar ashpër nga grupet e viktimave të luftës dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.

Lojtari serb i hendbollit Vlada Mandiq, i cili ngriti muralin, tha për mediat se ai e konsideronte Mlladiqin, i cili u dënua për gjenocid nga Gjykata e Hagës, por ka apeluar ndaj vendimit, si një “hero serb”.

Aleksandra Letiq nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republikën Srpska tha se nderimi i Mlladiqit tregon “imazhin aktual të shoqërisë në të cilën jetojmë” dhe sugjeron që “bërja paqe me të kaluarën as që ka filluar”.

“Murali i Mlladiqit nuk është aspak surprizë, sepse ne jetojmë në një shoqëri në të cilën kriminelët e luftës lavdërohen nga të gjitha anët dhe u ngrihen monumente në vende të ndryshme, duke viktimizuar përsëri viktimat,” tha Letiq.

Kryetarja e komunës së Kalinovikut, Milena Komlenoviq, tha për BIRN se për nderimin e Mlladiqit nuk është kërkuar asnjë leje.

“Askush nuk ka kërkuar leje. Nuk na ka kontaktuar askush,” tha Komlenoviq.

Kemal Pervan, kryetari i Shoqatës Kalinovik 92, që përfaqëson viktimat e luftës, tha se murali i Mlladiqit tregonte se edhe pse kanë kaluar shumë vite nga përfundimi i luftës, ende nuk ka mundësi që boshnjakët që u larguan për shkak të luftës të rikthehen në zonën e Kalinovikut.

“Nuk ka rikthim për boshnjakët. Deri më tani, janë rikthyer pesë familje. Ky nderim që i bëhet Mlladiqit përfaqëson gjithashtu një mënyrë për të penguar procesin e rikthimit,” tha Pervan.

“Nuk habitem nga murali. Megjithatë, ne nuk mund të ngremë një monument në nder të civilëve të vrarë në Kalinovik sepse komuna nuk dëshiron të na japë leje,” shtoi ai.

Djali i ish-kreut ushtarak serb të Bosnjës, Darko Mlladiq, i cili jeton në Beograd, tha për mediat se babai i tij gëzonte mbështetje të gjerë popullore.

Duke folur për monumentin në nder të tij në Kalinovik, Darko Mlladiq tha se ai tregon se “nuk duhet të na vijë turp nga heronjtë tanë, por duhet t’i shpërblejmë ata për atë që ata bënë për popullin gjatë atyre viteve të vështira”.

Gjykata e Hagës në nëntor 2017 e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid të boshnjakëve nga Srebrenica, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai u gjet gjithashtu fajtor për persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në disa komuna në vend, përfshirë në Kalinovik.

Si mbrojtja ashtu edhe prokurorët e Hagës e kanë apeluar vendimin. Vendimi përfundimtar pritet të jepet vitin e ardhshëm.