foto-ilustrim

Mjetet e Qeverisë të Pakta për Dëmet në Malishevë

Qeveria e Kosovës ndau sot në mbledhjen e saj 159 mijë euro për dëmet nga vërshimet e janarit në disa komuna të Kosovës.

Por zyrtarë të Komunës së Malishevës që u prekën më së shumti nga këto vërshime mjetet e ndara nga qeveria i konsiderojnë të pamjaftueshme edhe sikur të gjitha t’i jepeshin kësaj komune.

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës Artan Paçarizi tha për KALLXO.com se komuna ende nuk e di se si do të ndahen këto mjete.

“Komuna e Malishevës nuk është e njoftuar se si do të ndahet ky fond nga qeveria, por edhe sikur të ishte i tërë fondi për Komunën e Malishevës, prapë nuk do të kompensonte dëmet e shkaktuara,” tha Paçarizi.

Sipas tij, kjo komunë vetëm gjatë janarit, ka pasur dëme gati 1 milion euro, ndërsa dëmi i shkaktuar vetëm në bujqësi ka qenë 104 mijë euro.

“Vetëm gjatë muajit janar komuna e jonë ka pësuar dëme nga vërshimet 935 mijë euro, pa i llogaritur dëmet nga vërshimet e marsit,” tha Paçarizi.

http://kallxo.com/1-milion-euro-deme-nga-vershimet-ne-malisheve/

Gjatë vërshimeve të janarit ishte prekur nga vërshimet edhe Komuna e Suharekës dhe disa komuna tjera.

Zëdhënësi i Komunës së Suharekës  Reshat Reshitaj tha për KALLXO.com se kjo komunë vetëm në bujqësi nga vërshimet e janarit pësoi dëme në vlerën e 67 mijë e 400 eurove, kryesisht në pemëtari dhe fushat e mbjella me grurë.

Por Ministria e Bujqësisë sqaron se fondi i ndarë prej 159 mijë euro për vërshimet përfshin vetëm kompensimin e dëmeve për bujqësinë.

“Ka qenë propozim i ministrisë që të bëhet kompensimi për dëmet që janë raportuar nga komunat në ekonomitë bujqësore. Dhe ky fond vlen vetëm për 11 komunat që kanë raportuar dëmet, e vlera totale e dëmit ka qenë rreth 600 mijë euro”, tha për KALLXO.com, Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të bujqësisë, Memli Krasniqi.

“Ne do të kërkojmë fond për kompensim edhe për dëmet gjatë muajit mars. Për të tjerat dëme, në infrastrukturë apo biznese të tjera, që nuk janë të fushës sonë, është vendim apo çështje e dikastereve që mund t’i mbulojnë”, tha Dragaj.

http://kallxo.com/sundimi-i-ujit-ne-malisheve/

http://kallxo.com/lumi-ne-rrugen-per-banje/

http://kallxo.com/malisheva-nje-dite-pas-vershimeve/

http://kallxo.com/suhareka-nuk-e-di-vleren-e-demeve-nga-vershimet/