Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi propozon datën për zgjedhje të parakohshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka propozuar që zgjedhjet e parakohshme në Kosovë të mbahen më 9 qershor 2024.

Sipas tij, kjo datë është e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Unë po e jap një propozim sot për herë të parë. Unë mendoj që ne do të duhej të merremi vesh me shku në zgjedhje më datën 9 qershor, 9 është e diel. Unë besoj që do të ishte një datë e përshtatshme, nga ajo që po thotë edhe Kurti që ne jemi të gatshëm kurdo atëherë nëse jemi të gatshëm…”- ka thënë Krasniqi në T7.

Ai tha se është pro që para shpërndarjes së Kuvendit të votohen marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare.

“Mocionin mund ta bëjmë bashkë të gjithë. Po merremi vesh, po e shpërndajmë Kuvendin dhe po shkojmë brenda 45 ditëve në diskutimet me presidenten. E shohim a e ka përnime kryeministri. Ne përnime e kemi, edhe i japim kohë me i kry disa punë të rëndësishme”- ka thënë ai.

Krasniqi më 27.03.2024 e prezantoi Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.

Ai tregoi pse nuk është vetë pjesë e garës për kryeministër, duke thënë se kjo nuk është garë për realizim të ambicieve personale.

“99% të deklarimeve të mia që kur jam bërë kryetar i PDK-së, kanë qenë qëllimisht kur kam thënë se PDK-ja do ta japë kryeministrin e ri, sepse bindja ime gjithmonë ka qenë që kjo nuk është garë për realizim të ambicieve personale, e sidomos sot nuk është koha për protagonizëm liderist, nuk është koha për lidership autoritar”- ka thënë Krasniqi.

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK, ka kohë që kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Javën e kaluar, oferta e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare se “bashkë mund t’i bëjnë numrat për ta shpërndarë Kuvendin”, ka rikthyer debatin për zgjedhje të parakohshme në vend.

Derisa PDK-ja ka shprehur gatishmëri për ta nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, LDK-ja ka konsideruar se Kurti është dorëzuar dhe si i tillë duhet të japë dorëheqje pa mocion. E AAK-ja ka përkujtuar se ka qenë e para që ka iniciuar mocionin e votëbesimit ndaj pushtetit aktual.

Në konferencë për media në trevjetorin e qeverisjes së tij Kurti tha se Qeveria nuk ka arsye pse të rrëzohet.

Ai tha se nëse opozita dëshiron zgjedhje mund të ulen të bisedojnë për shpërndarje të Kuvendit, por jo për rrëzim të Qeverisë.