Mjekët-Profesorë nga Janari me Pagë të Unifikuar

Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Rektoratin e Universitetit të Prishtinës përmes memorandumit të bashkëpunimit kanë vendosur që sistemi i pagave të mjekëve profesorë të unifikohet.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani deklaroi se ky sistem i pagave nuk do t’i dëmtojë financiarisht këta profesionistë.

“Jo nuk kanë nevojë të frikohen. Nuk është e nevojshme të frikohet askush, e tha edhe ministri Bajrami që do të marrin pagën e merituar dhe nuk do të dëmtohet kurrkush por qëllimi është që t’i eliminojmë disa paqartësi që na u kanë paraqitur edhe në menaxhim të klinikave. Ky vendim nuk rrezikon asnjë, në asnjë formë masën monetare të përgjithshme që kanë marrë profesorët, asistentët e Fakultetit të Mjekësisë”, deklaroi Rrahmani.

Ndërkaq Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit cilësoi se kjo marrëveshje e arritur për një kohë të shkurtër po e zgjidh një problem të kahmotshëm.

“Ka qenë një problem i kahmotshëm dhe me këtë ne po krijojmë bazën që këta të marrin një pagë të unifikuar për punën që bëjnë si profesorë, pra ligjërimi akademik por edhe për punën që bëjnë në klinikë dhe kjo pagë unike brenda sistemit të pagave të Republikës së Kosovës”, tha Bajrami.

E për rektorin e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, kjo mënyrë e pagesës do të lehtësojë punën në universitet.

“Me këtë memorandum natyrisht që Universiteti i  Prishtinës do të përfitojë shumë në funksionalizimin e mbajtjes së ligjëratave, mbajtjes së ushtrimeve, pastaj me kuantifikimin e orëve, sepse mjekët , gjegjësisht profesorët mjekë kanë natyrën e punës shumë të komplikume, prandaj ky do të jetë një dokument i cili do të adresojë të gjitha problemet e pazgjidhura deri tash“, tha Dema.

Sistemi i ri i pagave do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm.