Misteri i Nismës për Mbrojtjen me Ligj të Fëmijëve në Media

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara (KMSh) kanë denoncuar të hënën një nismë ligjore të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë që synon mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në media me të cilën këto organizata thonë se po tentohet që mediat te vihen nën kontroll.

AGK dhe KMSh thonë se një nismë e tillë është e paligjshme meqë draft-rregullorja bazohet në një ligj i cili nuk ekziston.

Imer Mushkolaj, kryetar i KMShK-së tha se para një muaji janë kontaktuar nga UNICEF që të japin komente mbi këtë rregullore, por kanë refuzuar t’i japin për arsye se nuk është qeveria ajo që duhet të rregullojë mediat, por vet këshilli si organ vetërregullues.

Tri javë më parë, më 24 qershor, Asociacioni dhe Këshilli u kishin dërguar email Zyrës së Kryeministrit për të kërkuar sqarime rreth kësaj rregulloreje, por ZKM sipas tyre, ZKM ka injoruar këtë emal.

“Konsiderojmë se Zyra e Kryeministrit i ka injoruar kërkesat për me marrë informata rreth kësaj rregullore, vazhdimësi e qasjes jo transparente dhe injoruese ndaj gazetareve,” tha Mushkolaj.

Shkëlqim Hysenaj, kryetar i AGK-së tha se në fillim të qershorit u ka shkuar një rregullore, për të cilën nuk kishin njohuri më parë.

“Konsulenti i UNICEF-it e as ZKM nuk na kanë treguar se kush e ka hartuar këtë rregullore.”

UNICEF ka kërkuar komente pas draftimit nga AGK por ata kanë refuzuar, ngase sipas Hysenajt ka shkelje procedurash. “

“Kur hartohet një rregullore duhet tu tregohet të gjitha grupeve të interesit. Nuk kemi pranu komentimin se ka shkelje procedurale”, tha Hysenaj.

Por Zyra e Kryeministrit tha për KALLXO.com se nuk ka qenë pjesë e një nisme të tillë ligjore ndërkohë që Zyra e UNICEF në Kosovë ka thënë se ka mandat të bëjnë vetëm asistencë teknike, por jo edhe punën e qeverisë.

“UNICEF-i ka mandat të plotë të ofrojë asistencë teknike rreth çështjeve që kanë të bëjnë me fëmijët. Zakonisht punojmë në partneritet dhe bashkëpunim me Qeverinë, OJQ-të, mediat e institucionet tjera rreth përmirësimit, promovimit e realizimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë konform Konventës për te Drejtat e Fëmijëve.”

Po ashtu UNICEF ka potencuar se “në asnjë moment nuk tenton të kryej punën e Qeverisë, por punon në partneritet dhe ofron mbështetje institucioneve rreth realizimit të të drejtave të fëmijëve.”

Në sqarimin tutje thuhet se është bërë një ri-shikim i ligjeve që kanë të bëjnë me fushën e mediave dhe raportimit etik të fëmijëve në media për të analizuar gjendjen dhe mangësitë e përparësitë që kanë ligjet në Kosovë në këtë aspekt.

“Gjithashtu është mbajtë edhe një takim në dhjetor te vitit 2015 me gazetarë e përfaqësues të Komisionit te Pavarur te Mediave, me përfaqësues të zyrës ligjore të Kryeministrit e përfaqësues të tjerë ku janë diskutuar të gjeturat e analizës”

Por, UNICEF nuk është përgjigjur se kush është person përgjegjës mes UNICEF dhe Zyrës së Kryeministrit.

Kjo rregullore përmban logon e Qeverisë dhe emrin e kryeministrit Isa Mustafa, por u është dërguar AGK-së e KMShK-së, nga një përfaqësues ligjor i UNICEF-it.

Nga ana tjetër, Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e kësaj rregulloreje.

“Ne e kemi parë atë më vonë, mirëpo ende nuk kemi qëndrim pasi që jemi duke e analizuar përmbajtjen e saj dhe duke diskutuar me partnerët tanë”, ka thënë Misioni i OSBE-së për KALLXO.com.

AGK e KShMK i kanë bërë ftesë qeverisë që brenda 10 ditëve t’i informojnë rreth veprimeve të bëra me qëllim të mos lejojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj iniciative.