Ministrja Hoxha flet për punësimin e vëllait të asamblistit të PDK-së në këtë ministri

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se nuk është në dijeni për punësimin e vëllait të asamblistit në Komunën e Mitrovicës nga radhët e PDK-së, Donjet Bislimi në këtë ministri.

Hoxha thotë se do të rishikojë se si kanë shkuar procedurat e vlerësimit për vendin e punës për të cilën Donart Bilsimi ishte përzgjedhur si zyrtar i IT-së, duke shpresuar se nuk ka pasur ndikim politik.

“Me të thënë të drejtën nuk jam në dijeni, se nuk përzihem në çështjen e punësimeve pasi që ligji i shërbyesve civil dhe angazhimin e punëtoreve në ministri në qeveri në përgjithësi është mjaftë i qartë.  Nuk kam qenë këtu, kam qenë në një udhëtim, e kam lexuar dje, jam duke marrur informata për këtë çështje. Shpresoj që të gjitha procedurat janë respektuar sepse kjo është një kërkesë e imja që procedurat që ligjet të respektohen”, tha Hoxha në një konferencë për media.

KALLXO.com ka raportuar të enjten se Donart Bislimi, vëllai i asamblistit në Komunën e Mitrovicës nga radhët e PDK-së, Donjet Bislimi, është përzgjedhur si kandidat i suksesshëm në konkursin e hapur nga Ministria e Integrimeve Evropiane, ministri kjo e cila udhëhiqet nga Dhurata Hoxha, po ashtu pjesë e PDK-së.

Ai për KALLXO.com e mohon se ka pasur ndikim politik në punësimin e tij.

“Aspak nuk ka luajtur rol vëllai im, për shkak se un kam dalur më i poentuar dhe i kam përmbushur te gjitha kriteret e kërkuara , dhe gjithashtu jam i certifikuar nga Ambasada Amerikane për detyrën e kërkuar”, ka thënë i përzgjedhuri i MIE-së.

Gjithashtu, KALLXO.com kishte kontaktuar edhe me asamblistin, njëherësh edhe kryetari i Rinisë së Kosovës i cili thotë se vëllai i tij i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për këtë vend pune.

“Po është e vërtetë. Ka qenë një konkurs pune për 6 muaj dhe i ka plotësu të gjitha kushtet dhe ka dalur më i vlerësuar në intervistë në test edhe është pranuar”, tha Bislimi për KALLXO.com

Por, sa  i përket se a ka pasur ndikim politik në punësimin e tij, drejtuesi i RDK-së mohon këtë.

“Nuk është faji jem”, u përgjigj shkurt duke qeshur.

Ky i fundit ka postuar në këtë muaj edhe një fotografi me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin në rrjetin social ‘Facebook’.

Donart Bislimi sipas njoftimit të lëshuar nga MIE ka siguruar maksimumin e pikëve për këtë post në total 90.3 pikë.