Gjergj Dedaj - Foto: Facebook
Ministria i Blen Samsung S6 Gjergj Dedajt
“Një telefon celular është blerë për zëvendësministrin e MAPL-së Gjergj Dedaj”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të MAPL-së për KALLXO.com.
Sipas zyrës për informim të kësaj ministrie, telefoni në fjalë është i markës Samsung Galaxy S6 për të cilin ka paguar 630 euro.
“Marka e telefonit Celular është SAMSUNG S6. Kontrata është nënshkruar në vlerë në vlerë prej 630 euro, po ashtu siç janë cekur në njoftimin për nënshkrim të kontratë të publikuar në ueb faqen e KRPP-së me datën: 16.03.2016. “ thuhet në përgjigjen e ministrisë.
KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendës ministri Gjergj Dedaj, i cili e pranon që është pajisur me telefon nga administrata e ministrisë.
“Vet administrata na ka pajisur me telefona, laptop. Unë s’kam kërkuar asgjë”, ka thënë Dedaj.
“Nuk është ky kurrfarë lajmi, s’ka kurrfarë rëndësie kjo”, shtoi Dedaj kur është pyetur nga KALLXO.com për këtë çështje.
Ai thotë se telefoni me të cilin është pajisur nuk ka kushtuar 630, duke e demantuar zyrën për informim.
“Jo,Jo, s’ka kushtuar 630 euro, por administrata i ka jep, mundeni me i pyet atje… Përndryshe nëse doni me ditë jeni duke folur me njeriun që i ka dhënë më së shumti lirisë së Kosovës”, tha ai.
Dedaj thotë se kur t’i përfundojë mandati do t’i kthejë të gjitha pajiset, përfshirë edhe telefonin Samsung S6.
“Unë nuk mundem t’i caktoj Ministrisë çfarë telefoni të më japë, është çështje e administratës”, tha Dedaj kur u pyet pse nuk e ka marrë një telefon më të lirë.
Zyra për informim e MAPL-së blerjen e telefonit e arsyeton duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës.
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Dedaj në vitin 2015, sa kishte qenë zëvendës ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kishte deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë prej 500 mijë eurove, ku përfshihen një shtëpi banimi dhe një dyqan.
Ai kishte deklaruar edhe një veturë me vlerë prej 6.600 euro.
Dedaj ka qenë disa herë në post të zëvendës-ministrit nga dikastere të ndryshme. Ai ka qenë zëvendës-ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pastaj ishte emëruar në postin e zv.ministrit në Ministrin e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, mirëpo ishte shkarkuar ende pa filluar punën. Në vitin 2013, Dedaj ishte emëruar zv.ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Në qeverinë Mustafa është emëruar në postin e zv.ministrit të Pushtetit Lokal në fund të vitit 2015.