Kryesuesi i Kuvendit s’e pranon formën e kërkesës së qytetarëve për largimin e Atiqit nga pozita e kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin nuk e ka pranuar formën e kërkesës së qytetarëve për iniciativën e shkarkimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq (Lëvizja Vetëvendosje) e cila i është dorëzuar javën e kaluar.

Ugljanin në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kjo kërkesë nuk është pranuar pasi sipas tij, nuk është dorëzuar njoftimi për formimin e grupit iniciues.

Sipas tij, për shkak të kësaj, kërkesa nuk ka qenë në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MAPL-së për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

“Unë kërkesën e kam pranu nga grupi qytetar i iniciativës për nismën e peticionit për shkarkimin e kryetarit, para pesë ditëve, dhe sipas ligjit mua sot më ka taku me u përgjigj grupit iniciues në kuadër të udhëzimit administrativ si kryesues kuvendi. Ata me kërkesë janë ardh, është dashtë me dhënë njoftim për formimin e grupit iniciues dhe regjistrimit e grupit iniciues përmes KQZ-së, ata se kanë dhënë këtë letër si njoftim. Versioni shqip dhe serbisht është ndryshe. Lypen dy letra, njoftimi dhe kërkesa. Ata nuk e kanë dorëzua këtë njoftim. Nëse vijnë prapë duhet me pru këtë njoftim”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai ka thënë se sot përmes e-mail-it e ka njoftu grupin e qytetarëve lidhur me këtë çështje.

Ndërsa, ka thënë se ekziston mundësia që kërkesa e tyre të dërgohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Unë nuk e kam refuzu vetëm nuk e kam pranu këtë lloj kërkesë dhe ata e kanë edhe mënyrën tjetër edhe përmes KQZ-së me shku. Unë i kam njoftu përmes e-mail sot dhe deri tani s’kam pas kontakte ende, por kam informata se ata do të vijnë më njoftimin dhe kërkesën, nëse jo mund të shkojnë në KQZ”- ka shpjeguar ai.

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli ka reaguar lidhur me ketë vendim të Kryesuesit të Kuvendit Komunal. Sipas tij, Ugljanin e ka shkelur ligjin dhe aktet tjera, me vendimin për refuzim të kërkesës së qytetarëve për largim të kryetarit të komunës.

“Kryesuesi nuk ka asnjë kompetencë, as sipas ligjit as sipas udhëzimit adminsitrativ, për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, e aq më pak refuzimit të saj. Roli i kryesuesit është krejt simbolik dhe vetëm njoftues i instancave tjera”- thuhet në reagimin e Cakollit në Facebook.

Në shtator të këtij viti, Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar udhëzimin administrativ që u mundëson qytetarëve që nëpërmjet një peticioni t’i largojnë kryetarët e komunave veriore.

Ky udhëzim është hartuar në kuadër të hapave që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë për shtensionimin e plotë të situatës në veri.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka renditur disa çështje kryesore lidhur me këtë proces.

“Udhëzimi administrativ, përcakton qartë procedurat e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni,  Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë, Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar, Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje, Pas pranimit të kërkesës Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në, Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë, Pra, pas pranimit të kërkesës dhe njoftimit të Kryetarit, MAPL-së dhe KQZ-së vijojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara me udhëzimin administrativ, Kërkesa e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve”- ka njoftuar ai.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq te cilat u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb. Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura në prill për kryetarë të komunave në veri, ndërsa prej 29 majit serbët lokalë në tri komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, filluan protestat për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Pas tensioneve të krijuara, zgjedhjet e reja në këto komuna janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.