Gjyqtari e sfidon me kundërshtitë mes dëshmisë së sotme dhe deklaratave dhënë EULEX-it, ky është arsyetimi i Gjergj Dedajt

Në seancën e sotme, gjykatësi Guenawl Mettraux i ka parashtruar pyetje dëshmitarit Gjergj Dedaj në Gjykatën Speciale.

Ai e përballi dëshmitarin me deklaratat e tij dhënë EULEX-it dhe e pyeti nëse ishin të vërteta ose jo.

Gjergj Dedaj ka dhënë dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në gjyqin ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Gjatë seancës mbajtur të mërkurën, gjyqtari Mettraux e ka konfrontuar Dedajn me deklarata të mëhershme ku ai pretendonte se ishte rrahur, ndërsa në dëshminë aktuale kishte mohuar këto pretendime.

“A e pranoni ju se duke marrë parasysh dëshmitë që po i jepni para kësaj gjykate, tani informacioni apo dëshmitë që i keni dhënë UNMIK-ut janë të rreme, këtë po ma thoni? Për shembull në ato deklarata keni thënë që ju kanë rrahur, këtu po na thoni që nuk ju kanë rrahur. Pra, pretendimin se ju kanë rrahur bie poshtë duke marrë parasysh dëshminë që po jepni këtu, a është e drejtë?”- pyeti gjyqtari Mettraux.

Dedaj u përgjigj duke pranuar se kishte ekzagjeruar ato deklarata dhe kishte treguar motivet e tij për këtë veprim.

“E kam ekzagjeruar dhe i kam tregu motivet e atyre deklaratave që i kam ekzagjeruar dhe në letrën e fundit që e kam dërguar”- tha Dedaj.

Megjithatë, gjyqtari Mettraux ka insistuar se sipas dëshmive të dëshmitarit, ai kishte gënjyer hetuesit e EULEX-it.

“Sipas dëshmisë që po jepni sot, i bie se ju keni gënjyer hetuesit e EULEX-it, apo jo? Se ju keni thënë, se keni pretenduar se ju kanë rrahur, edhe të tjerët janë rrahur dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Pra, informacioni që i keni dhënë EULEX-it nëse marrim parasysh dëshminë që po na e jepni ju sot i bie që të jetë i rremë dhe tjetërsues, e pranoni këtë?”- pyeti gjyqtari Mettraux.

Por, Dedaj vazhdoi të mbrohej duke deklaruar se po fliste të vërtetën dhe këto deklarata të fundit ishin të sakta.

“Tash e kam thënë të vërtetën, kur jam kthy në konferencë të shtypit dhe e kam thënë të vërtetën këtu, këto ma nuk qëndrojnë”- shtoi Dedaj.

Gjyqtari Mettraux theksoi gjithashtu se Dedaj duhet të ishte i vetëdijshëm se mosthënia e të vërtetës është vepër penale sipas ligjeve të Kosovës.

“Që të jemi të qartë, ju e dinit se kur po ju intervistonte EULEX-i mosthënia e të vërtetës është vepër penale sipas të drejtës së Kosovës. Ju ishit në dijeni të kësaj”- tha gjyqtari Mettraux.

E dëshmitari iu përgjigj gjyqtarit duke u arsyetuar se nuk kishte një avokat ose një këshilltar juridik për t’u këshilluar.

“Unë jam informuar, por unë nuk kam pasë kurrë në jetën time nuk kam qenë nëpër gjykata dhe nuk e kam vlerësu si duhet domethënë atë dhe s’kam pasë asnjëherë as këshillë juridike e as avokat”- u përgjigj Dedaj.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Gjergj Dedaj ka përfunduar seanca e sotme në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve.

Gjykimi vazhdon nesër dhe pritet të dëshmojë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.