Procesi lidhur me peticionet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri, flet ministri Krasniqi

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se nga fundi i muajit dhjetor 2023 janë autorizuar katër grupe për mbledhje të nënshkrimeve për peticionin ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve në komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, në bazë të udhëzimit administrativ.

Ai shtoi se të martën kanë pasur takim me diplomatë të Bashkimit Europian ku edhe i kanë njoftuar për procesin.

“Dje kemi pasë takim me diplomatë të BE-së ku i kemi informuar se tashmë kemi katër grupe të qytetarëve në veri të cilët janë autorizuar për të mbledhur nënshkrimet në peticionin për shkarkim të kryetarëve. Nga informacionet që kemi prej kryesuesve të Kuvendeve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, më 22 dhjetor janë takuar me qytetarët ku edhe janë autorizuar për këto nënshkrime. Nga ajo datë edhe nisin afatet për mbledhje, sipas udhëzimit administrativ”- ka bërë të ditur Krasniqi.

Derisa, në Zveçan ky proces nisi më vonë pasi kryesuesja nuk e kishte procesuar kërkesën e qytetareve në KQZ.

“Në Komunën e Zveçanit kryesuesja e Kuvendit nuk e ka procesuar në KQZ kërkesën e qytetarëve, të cilët më pas i janë drejtuar Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe KQZ-së, ku kanë pranuar numrin e votuesve në këtë komunë dhe  20% e duhur për të mbledhur nënshkrimet. Nga ai moment ka nis afati prej 30 ditësh i kohës së paraparë për mbledhje të nënshkrimeve”- shtoi më tej Krasniqi.

Sipas tij, udhëzimi administrativ është hapi konkret që mundëson të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk mund të veprojmë më kërkesa të Beogradit. Sot, kemi situatën ku serbët që në emër të Beogradit nuk i njohën këto zgjedhje, me instrumente demokratike të Republikës së Kosovës angazhohen të kërkojnë largim të tyre, kjo besoj është e rëndësishme”- shtoi më tej ministri.

Derisa theksoi se masat e vëna ndaj Kosovës nga ana e BE-së  janë të padrejta pasi Kosova ka qenë palë konstruktive.

“Derisa Kosova ishe e përqëndruar në hartimin e udhëzimit ju e dini se çfarë ka bërë Serbia me rastin ne Banjskë. Masat vazhdojnë të jenë të padrejta sikur sot e sikur dje kur janë vendosur”- shtoi më tej Krasniqi.

Kurse, për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ai u shpreh që Kosovës nuk i duhen instrumente një etnike për shantazh ndaj institucioneve.

“Qëndrimi im për Asociacionin tashmë është i njohur, Kosovës nuk i duhen instrumente njëetnike dhe instrumente shtesë për shantazh të institucioneve, por na duhet gjithëpërfshirje në frymë të Republikës së Kosovës”- shtoi tutje ministri Elbert Krasniqi.

Udhëzimi Administrativ u nxor në fillim të shtatorit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por popullata vendase serbe, që i bojkotoi zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranon.