Miku i Limajt Punësohet Pa Konkurs në Gjimnazin e Malishevës

Miku i Fatmir Limajt, Hafir Xhyliqi, është punësuar psikolog në gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë. Punësimi i tij në vendin e punës që do të jetë i hapur për tre muaj, është bërë pa konkurs.

Dega e PDK-së në Malishevë konsideron se kemi të bëjmë me familjarizim dhe keqpërdorim të arsimit të këtushëm.

Ndërsa, në Komunë e pranojnë se i punësuari është miku i Fatmir Limajt, porse ai nuk është pranuar për t’i plotësuar kërkesat e ndonjë personi por për shkak se Gjimnazi “Hamdi Berisha” ka pasur nevojë për një psikolog.

Hafir Xhyliqi punën e ka nisur më 1 shkurt, ndërkohë që për vendin e tij nuk ka pasur ndonjë konkurs.

Bekim Hoti, asamblist nga radhët e PDK-së, tha për KALLXO.com se arsimi në Malishevë është politizuar dhe se rasti i fundit i punësimit të mikut të kryetarit të Nismës për Kosovën, parti që udhëheq pushtetin komunal, tregon edhe nivelin se ku ka arritur arsimi në Malishevë.

Ai tha se miku i Fatmir Limajt është punësuar pa konkurs dhe vetëm meqë është miku i tij.

“Kemi rastin konkret, ku dje ka filluar punën miku i kryetarit të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, si psikolog në gjimnazin “Hamdi Berisha” dhe faktikisht ky person nuk është i kualifikuar për këtë profesion… Nuk ka pasur konkurs. Është punësuar pa konkurs… Këta po i punësojnë militantët e tyre partiakë dhe familjarët e tyre”, thotë këshilltari komunal.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe mikun e Limajt, Hafir Xhyliqi, por i njëjti nuk pranoi të komentojë rreth rastit. Ai tha se për gjithçka duhet të flasë Drejtoria e Arsimit.

“Unë nuk kam çka me thanë lidhur me punësimin tim pasi punëdhënësi është Drejtoria e Arsimit. Drejtojuni atje. Krejt çka kanë më thanë për këtë rast e thonë në Drejtorinë e Arsimit”, tha përmes telefonit Hafir Xhyliqi.

KALLXO.com përmes telefonit kontaktoi edhe drejtorin e Arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi, i cili e pranoi se i punësuari është mik i Fatmir Limajt, por se kjo, sipas tij, nuk është arsyeja e pranimit.

“Gjimnazi ‘Hamdi Berisha ka pasur nevojë për një psikolog dhe ky rastisi të jetë miku i kryetarit të Nismës”, ka theksuar Thaçi.

Diçka të ngjashme thotë edhe zyrtari tjetër i Drejtorisë së Arsimit, Enver Mazreku. Edhe ky insiston në faktin se punësimi i Hafir Xhyliqit nuk është pse ai është miku i Fatmir Limajt, por ngaqë Gjimnazi “Hamdi Berisha” vërtetë kishte nevojë për një psikolog.

“Konsideroj që motivi i punësimit të Hafirit në rolin e psikologut nuk është që t’i plotësohen dikujt dëshirat apo egot për punësim, por është një nevojë e gjimnazit “Hamdi Berisha”, që të jetë i pranishëm një psikolog, i cili psikolog me kualifikim adekuat do të bënte të mundur trajtimin e të gjitha çështjeve, që do të bënin të mundur krijimin e mjedisit të sigurta në shkollat tona”, ka thënë Mazreku.

Po ashtu, i njëjti e pranoi që nuk ka pasur konkurs për këtë vend pune, por u arsyetua me faktin se puna është për një afat tremujor.

Në këtë shkollë janë edhe 4 profesorë me profesion psikolog, por drejtori i Arsimit tha që të njëjtit nuk kanë pranuar që ta ushtrojnë këtë pozitë për tre muaj.

KALLXO.com ka kontaktuar njërin prej tyre, por ai nuk pranoi të flasë para kamerës. Megjithatë, ai theksoi se asnjëherë nuk i është ofruar nga Drejtoria e Arsimit një pozitë e tillë, të cilën do ta pranonte meqë është i shkolluar pikërisht për këtë punë.

Komuna e Malishevës udhëhiqet nga Nisma për Kosovën, parti e drejtuar nga Fatmir Limaj.

http://kallxo.com/arsimtaret-e-larguar-te-malisheves-prape-ne-ore-te-protestes/

Probleme me punësimet në arsimin e Malishevës ka pasur që kur Nisma për Kosovën e ka marrë pushtetin në këtë komunë.

KALLXO.com ka raportuar për protestën para Komunës të mësimdhënësve të përjashtuar nga puna më 8.9.2014.

Po ashtu edhe për punësimin e asamblistes së kësaj partie në këtë Gjimnaz pa konkurs.

http://kallxo.com/asamblistja-e-partise-ne-pushtet-punesohet-pa-konkurs/