Mësimdhënësit e Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë unanimisht për vazhdimin e grevës

Kolektivi i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë sot ka votuar unanimisht pro vazhdimit të grevës që ka filluar që më shumë se një muaj.

Mësimdhënësit kanë votuar për vazhdimin e grevës deri në arritjen e një marrëveshjeje me Qeverinë e Kosovës.

“Unanimisht, i gjithë kolektivi i shkollës sonë janë pro vazhdimit të grevës deri në marrrveshje me Qeverinë” – u tha në njoftimin e kësaj shkolle të publikuar në Facebook.

Pjesë e votimit pro u tha se kanë qenë edhe ata që nuk janë anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Në njoftim theksohet se kolektivi i Gjimnazit është shumë i revoltuar me “fjalorin e përdorur për diskriminimin e personalitetit të mësuesit”.

Në faqen e Gjimnazit në Facebook janë publikuar dy lista me emrat e mësimdhënësve që kanë votuar pro vazhdimit të grevës.

Profesori Naser Krasniqi, udhëheqës i sindikalistëve të Gjimnazit, tha për KALLXO.com se mësimdhënësit e tjerë që nuk janë këto lista nuk kanë qenë prezentë porse janë kontaktuar përmes telefonit dhe të gjithë janë deklaruar pro vazhdimit të grevës.