Mësimdhënësit e Mbetur pa Paga Nuk Pajtohen me Zgjidhje Gjysmake

15 mësimdhënësit e shkollës së mesme ekonomike “Ymer Prizreni” të larguar nga lista e pagave, nuk po pranojnë zgjidhje të përkohshme të çështjes së tyre.

Mësimdhënësit që kanë protestuar më 8 nëntor para komunës në Prizren po kërkojnë që për ta të ketë një zgjidhje të përhershme.

Sado që punojnë në shkollën ekonomike, ata tash e dy vjet i kanë marrë pagat nga Agjensioni për Aftësim dhe Arsim Profesional dhe Arsimit të të Rriturve pasi që komuna i kishte marrë përsipër obligimet e pagesës.

Por 15 nga 39 mësimdhënësit e kësaj kategorie këtë muaj ishin larguar nga lista e pagave.

Më 9 nëntor, Agjensioni, Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Arsimit kishin arritur një marrëveshje që këta mësimdhënës të kthehen në listën e pagave të Agjensionit.

Por mësimdhënësit e kësaj shkolle nuk po pajtohen me këtë zgjidhje të bëra nga këta të fundit. Ata thonë se nuk janë pyetur fare edhe këtë herë, për marrëveshjen e fundit.

Fadil Buqaj, përfaqësues i mësimdhënësve të larguar nga lista e pagave, tha për KALLXO.com, se ata po kërkojnë që të bëhet një zgjidhje më afatgjatë.

“Kemi edhe përkrahjen edhe të kolektivit po ashtu kemi përkrahjen edhe të udhëheqjes së shkollës që nëse masat nuk do të ndërmerren së shpejti që kjo zgjidhje të jetë më afatgjate, do të merren edhe masa tjera radikale, do të vie deri te ndërprerja e procesit mësimor”, thotë Buqaj.

Ai thotë se nëse paraqitet nevoja, do të ketë protestë edhe në Prishtinë.

Zëdhënësi i komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, tha për KALLXO përmes telefonit se komuna ka bërë një zgjidhje afatshkurtre që mësimdhënësit të mos mbesin pa paga.

Sipas tij, pas tre muajve këta mësimdhënës do të kthehen në listën e pagave në shkollën ku punojnë.