Mediat Akuzojnë PDK-në për Kërkesë të Padrejtë për Kohë Televizive

Partitë udhëheqëse të Kosovës janë akuzuar për përpjekje për të siguruar shumë më tepër sesa pjesëmarrjen e tyre të drejtë në mbulimin e medias në zgjedhjet e përgjithshme.

Ankesa vjen pasi kandidatët e koalicionit të tre partive – Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK dhe Iniciativa për Kosovën, NISMA – të gjitha kërkohet të trajtohen si entitete të ndara në aspektin e mbulimit medial.

Ata duan tri herë më shumë minuta në debatet televizive zgjedhore sesa përfaqësuesit e partisë opozitare Vetëvendosje – dhe një herë e gjysmë më shumë kohë sesa koalicioni dypartiak midis Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK dhe Aleancës Kosova e Re, AKR.

Jeta Xharra, moderatore e debateve televizive për zgjedhjet dhe drejtoreshë e BIRN në Kosovë, tha se çfarë po nxiste koalicioni i drejtuar nga PDK është e paligjshme, pasi që ligji zgjedhor garanton kohë të barabartë në transmetim për secilin bllok politik – jo për secilën parti të bllokut.

“PDK-ja ka përcaktuar te të gjitha mediat televizive, duke na përfshirë edhe neve, se si kusht për pjesëmarrjen e saj në debatet tona zgjedhore, koalicioni i tyre duhet të ketë tre herë më shumë kohë për të paraqitur programin e tyre se Vetëvendosja dhe dyfishin e kohës të koalicionit LDK-AKR” tha ajo.

Kreu i bordit të Komisionit të Pavarur për Media, KPM, Adnan Merovci, tha për BIRN se Kosova, ndryshe nga vendet në rajon, deri tani ka pasur mjaft sukses në organizimin e debateve.

“Për më shumë se 10 vjet, ne kemi parë që të gjitha subjektet politike në Kosovë paraqiten në kohë të barabartë në debate politike dhe publiku është mësuar të shohë një shfaqje të ndershme nga këto përfaqësime, të paktën gjatë kohës së zgjedhjeve”, tha Merovci.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit politikanët në mënyrë rutinore refuzojnë të marrin pjesë në debate me kundërshtarët e tyre.

Në Shqipëri, e cila po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme më 25 qershor, kryeministri Edi Rama injoroi thirrjen e liderit kryesor të opozitës, Lulzim Basha, që t’i ballafaqojnë qëndrimet e tyre në një debat televiziv. Aleksandar Vuçiq, presidenti serb, gjithashtu injoroi ftesat për debate përpara zgjedhjeve presidenciale serbe me 2 prill.

Situata në Kosovë ishte ndryshe megjithatë, me debate nga partitë dhe kandidatët kryesorë që mbaheshin rregullisht që nga viti 2004.

Ndërsa Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i koalicionit PDK, AAK dhe NISMA gjithashtu ka refuzuar të marrë pjesë në debate, kandidatët e partive për deputetë kanë marrë pjesë në mënyrë rutinore në debatet me partitë kundërshtare që konkurrojnë me programet politike.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e quajti kërkesën një formë të presionit të drejtpërdrejtë në media para zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Kërkesa e PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s që koalicioni i tyre PAN të trajtohet ndryshe nga partitë e tjera është një përpjekje e padrejtë për të imponuar politika editoriale … dhe shkel dispozitat ligjore që sigurojnë përfaqësim të barabartë të të gjitha njësive të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, thuhet në një deklaratë të lëshuar të premten.

Sipas ligjit zgjedhor të Kosovës, mediat janë të detyruara të “sigurojnë që të gjitha subjektet politike të certifikuara të marrin mbulim të drejtë dhe të barabartë gjatë fushatës zgjedhore dhe të gjitha mediat tranmetuese duhet të sigurojnë qasje të drejtë dhe të barabartë në shfaqjet politike dhe debatet për të gjitha subjektet politike të certifikuara”.

Kushtrim Sadiku, moderator në Klan Kosova, tha për BIRN të premten se kushtet e paraqitura nga koalicioni PAN dëmtuan të drejtën e qytetarëve për të krahasuar programet e ndryshme politike. Ai e quajti atë një formë të “një presioni mbi mediat në mënyrë që debatet [TV] të jenë të pamundura”.

Adriatik Kelmendi, autor dhe moderator në Kohavision, u pajtua se kërkesa shkeli rregullat e KQZ-së dhe Komisionit të Pavarur për Media për prezantimin e barabartë të të gjitha subjekteve të certifikuara politike.

“Gjithashtu duket se përfaqëson ndërhyrje në pavarësinë e mediave. Këto janë arsyet pse e hodha poshtë formatin që kërkonin”, tha Kelmendi.

Adnan Merovci tha për BIRN se ligji nuk përcakton askund se një subjekt politik i përbërë nga tre parti politike duhet të marrë trefishin e sasisë së kohës së transmetimit në një debat televiziv.

“Nëse mediat e përmbushin këtë kërkesë, atëherë ato shkelin ligjin, sepse subjektet e tjera politike do të merrnin tre herë më pak” tha Merovci.

Ai gjithashtu tha se formati i debatit zgjedhor të BIRN në Kosovë, “Debat Pernime”, i cili përfshin përfaqësues të katër opcioneve të ndryshme politike, plus një për komunitetet e tjera, është ajo për të cilën ka nevojë publiku.

“Jo vetëm si institucion, por si një qytetar i Kosovës i cili dëshiron të shohë të gjitha ofertat politike për zgjidhjen e problemeve të Kosovës përmes debatit, më pëlqen mënyra se si ‘Debat Pernim’ ka dhënë një zgjidhje”, tha ai.

“Megjithatë, ndërsa NISMA dhe AAK kanë marrë pjesë në debatet e BIRN në Kosovë, PDK vazhdon t’i qëndrojë besnik kërkesës së saj”, vuri në dukje ai.