Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ajazi: Qind për qind do ta zgjidhë çështjen e ujit të pijes në Drenas 

Kandidati për kryetar të Drenasit nga Demokratët për Drenasin, Driton Ajazi ka premtuar se brenda mandatit do të sigurojë ujë të pijshëm për qytetarët në këtë komunë, nëse fiton balotazhin më 14 nëntor.

Ai ka shtuar se qind për qind do ta zgjidhë këtë problem.

“Janë rreth 22 fshatra që nuk janë të kyçur në sistemin e ujit të pijes. Brenda mandatit, qind për qind të gjitha fshatrat që sot nuk kanë qasje në ujë të pijshëm brenda mandatit tonë kjo problematikë do të zgjidhet.

Ai tha se kjo është në mesin e top-prioriteteve të tij.

“Unë bashkë me ekipin i kemi zgjedh si top tri prioritetet që do t’i shtyjmë përpara qysh nga data 15 nëntor: Çështja  e ujit të pijes, çështja e komo stacionit – ligji që e rregullon pronë bujqësore, dhe e treta është zonat biznesore dhe pronat që i janë dhënë familjeve të dëshmorëve”, shtoi ai.

Ajazi ka theksuar se do ta zgjidhë edhe problemin me kanalizimin. Ai tutje ka premtuar se gatë mandatit të tij qeverisës në komunën e Drenasit nuk do të ketë asnjë deponi ilegale.

Sonte në #DebatPernime do të duskutohet për balotazhin e 14 nëntorit në Komunën e Drenasit.

Në debat merr pjesë vetëm kandidati për kryetar Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin.

I ftuar në DebatPernime ka qenë edhe kandidati për kryetar Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës, por nuk ka ardhur në debat.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka marrë 45,50% të votave, kurse kandidati Driton Ajazi nga DD ka siguruar 30,50% të votave.