Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimet e Ajazit për Drenasin: Do të ndërtojmë parkingje, qendër tregtare e qendër rekreative për pensionistët

Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin, i ftuar në Debat Pernime ka treguar për projektet kapitale të cilat synon t’i zhvillojë nëse arrin të marrë qeverisjen e Drenasit.

Ajazi ka thënë që synon të ndërtojë parkingje, qendër tregtare e shëtitore.

Gjithashtu, Ajazi ka thënë se kanë planifikuar të ndajnë 150 mijë euro për qendrën rekreative për të moshuarit.

“Është projekti për qendrën rekreative të pensionistëve që do të ketë kosto prej 150 mijë eurosh dhe të ju shpërblejmë mundin e të gjitha atyre që me djersën e tyre e kanë ndërtuar Drenasin dhe ta kalojnë pleqërinë nëpër aktivitete”, ka premtuar Ajazi.

Gjithashtu ai ka treguar edhe projektin e një shëtitoreje rreth 3 kilometra në qendër të Drenasit.

“Ne do të ndërtojmë parqe edhe rreth lumenjve. Kemi projekt konkret për këtë çështje, ku synojmë të bëjmë një shëtitore rreth lumenjve. Ky është lumi Drenica. Kjo është rreth 3 kilometra. Përveç shëtitores do të ketë edhe një shteg të çiklistëve që qytetarët e komunës së Drenasit mund të dalin gjatë mbrëmjeve dhe të kalojnë kohën e tyre”, tha ai.

Sonte në #DebatPernime do të duskutohet për balotazhin e 14 nëntorit në Komunën e Drenasit.

Në debat merr pjesë vetëm kandidati për kryetar Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin.

I ftuar në DebatPernime ka qenë edhe kandidati për kryetar Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës, por nuk ka ardhur në debat.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka marrë 45,50% të votave, kurse kandidati Driton Ajazi nga DD ka siguruar 30,50% të votave.