Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ajazi: Jemi marrë vesh me të gjitha partitë që të mos lidhim koalicione

Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin, i ftuar në Debat Pernime ka thënë se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti në këtë komunë. Sipas tij, qytetarët tashmë janë përcaktuar për ndryshimin e qeverisjes në Drenas dhe këtë e kanë thënë përmes votës në raundin e parë të zgjedhjeve.

Tutje Ajazi ka thënë se ka biseduar me të gjitha partitë nga të cilat ka kërkuar mbështetje e po ashtu, ai shton se janë marrë vesh që të mos lidhin asnjë koalicion në mënyrë që t’u mos u imponojnë qytetarëve zgjedhjen.

“Realisht pas rezultatit zgjedhor ne kemi mbajtur takime të brendshme duke analizuar të gjithë procesin. Kemi ardhur në përfundim që të vazhdojmë edhe më tej ashtu siç e kemi nisur sepse qytetarët janë përcaktuar për ndryshim. Rezultati që është 55 % që kanë votuar kundër kësaj qeverisje dhe na lënë të kuptojmë se qytetarët janë përcaktuar për ndryshim dhe ky ndryshim do të vijë përmes meje në zgjedhjet e 14 nëntorit. Jo, nuk kemi marrëveshje. Kam komunikuar me secilin dhe i kam falënderuar për garën fer dhe kam kërkuar mbështetje. Realisht më kanë uruar edhe për balotazhin dhe jemi dakorduar që të mos i imponojmë asgjë askujt përmes koalicioneve në mënyrë që të vendos qytetari i Drenasit”, ka thënë Ajazi.

Sonte në #DebatPernime do të duskutohet për balotazhin e 14 nëntorit në Komunën e Drenasit.

Në debat merr pjesë vetëm kandidati për kryetar Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin.

I ftuar në DebatPernime ka qenë edhe kandidati për kryetar Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës, por nuk ka ardhur në debat.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka marrë 45,50% të votave, kurse kandidati Driton Ajazi nga DD ka siguruar 30,50% të votave.