Foto-ilustrim

Mamusha Harxhon 13 mijë e 500 euro për Traktor

Për një traktor që do shërbejë për pastrim rrugësh Komuna e Mamushës dha 13 mijë e 500 euro.

Paratë për blerjen e traktorit ishin donacion nga Komuna Bolu e Turqisë. Por, blerja e këtij traktori është zvarritur për shkak të shkeljeve ligjore që kishte bërë Komuna e Mamushës duke tentuar t’ia përshtatë tenderin një kompanie të caktuar.

OSHP-ja kishte urdhëruar anulimin e tenderit, ndërsa në ritenderim blerja e traktorit është finalizuar nga Komuna e Mamushës duke respektuar rekomandimet e OSHP-së.

Menaxheri i prokurimit Gazmend Gashi tha për KALLXO.com se me këtë tender Komuna e Mamushës do te blejë vetëm një traktor.

Gashi tregon edhe për çfarë do të përdoret traktori.

“Komuna e Mamushës ka marrë si donacion nga Komuna  Bolu në Republikën e Turqisë një fshesë për fshirjen e rrugëve të Mamushës e cila  për funksionim ka nevojë qe te tërhiqet me traktor. Traktori do te shfrytëzohet për fshirje dhe mirëmbajtje të rrugëve të Mamushës si dhe do te përdoret edhe për nevoja tjera për Komunën e Mamushës dhe institucioneve tjera në kuadër te Komunës së Mamushës,” tha Gashi.

Zyra e Prokurimit e kësaj komune thotë se tenderi i është dhënë operatorit ekonomik me çmimin më të ulët të ofruar, i cili është 13 mijë e 500 euro. Vlera e parashikuar e kontratës sipas Komunës ishte 15 mijë euro.

Gashi thotë se kanë respektuar rekomandimet e OSHP-së, të dhëna në vendimin e lëshuar me 14 nëntor 2016.

“Tenderi ne fjalë është ritenderuar për shkak se një operator ekonomik ka bërë ankesë ne OSHP, ndërsa OSHP-ja e ka aprovuar ankesën e tij si të bazuar dhe ka rekomanduar që të anulohet tenderi dhe të rishpallet, nëse autoriteti kontraktues ka interes që ta zhvillojë edhe me tutje këtë procedurë të prokurimit,” tha Gashi.