Komuna e Prishtinës ndan 100 mijë euro për kompaninë 'Pastrimi', shkak borxhi i lartë ndaj Deponisë

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka ndarë 100 mijë euro për kompaninë Pastrimi pasi Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, KMDK ka kushtëzuar me pagesë të një pjese të borxhit për të vazhduar kontratën në vitin 2023.

Gëzim Sveçla nga LVV tha se për shkak të menaxhimit të dobët me borxhe të kësaj ndërmarrje nuk do votojnë për ndarje të këtyre mjeteve.

“Nuk do e votojmë këtë pasi menaxhmenti i kësaj ndërmarrje nuk po arrin të shlyejë borxhet. Po ashtu raporti i auditimit është shumë i keq. Nuk mund të japim para të taksapaguesve pa e ditur si po menaxhohen”.

Sveçla tha se çdo vit Komuna ndan mjete për këtë ndërmarrje, por borxhi i saj po shkon duke u rritur.

Muhamet Selmani nga PDK tha se Pastrimi ka borxh total rreth 2 milionë euro, prej tyre 800 mijë ndaj KMDK.

“Kompania për Menaxhimin e deponive të Kosovës, KMDK i ka kushtëzuar me pagesë të një pjese të borxhit mbi 800 mijë euro për të vazhduar kontratën për vitin 2023”- tha ai.

Ai theksoi se për Pastrimin do ndajnë para edhe komunat tjera që janë në menaxhim të saj.

Sami Borovci nga AAK tha se kjo ndërmarrje do duhej të ishte e Prishtinës dhe jo rajonale, pasi menaxhimi në këtë formë nuk është aspak në nivel.

Leotrim Retkoceri nga PDK tha se ministrja Artane Rizvanolli ka marr vendim për shtrenjtim të çmimit të deponive dhe rrjedhimisht kjo do ndikojë në rritje të këtij borxhi të ndërmarrjes Pastrimi, por edhe tek faturat e qytetarëve.

KMDK gjatë vitit 2022 ka penguar disa herë ndërmarrjen Pastrimi në zbrazje të kamionëve në deponinë e Mirashit në Obiliq si shkak i borxheve që ka ndaj kësaj kompanie.

Alban Zogaj, nënkryetari i Prishtinës tha se janë para aktit të kryer sa i përket ndarjes së kësaj ndihme financiare.

“Javën e kaluar janë mbyllur dyert e deponisë në Mirash për ‘Pastrimin’, jemi para një akti të kryer. Ose do ndihmojmë ose do i lëmë mbeturinat në rrugë”- tha ai.

Zogaj tha se Komuna brenda një viti i paguan 3 milionë euro Pastrimit për shërbimin e saj.

Sipas tij, me Bankën Botërore janë në diskutim për përfshirje edhe të një modeli privat për menaxhim të mbeturinave, pasi kështu është gjendje e rëndë.