Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tenderi 7 milionësh për pastrim të objektit bllokohet në OSHP, SHSKUK nënshkruan kontratë rreth 500 mijë euro me procedurë të negociuar

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka nënshkruar kontratë në vlerë rreth gjysmë-milioni euro për pastrimin e brendshëm të objekteve të QKUK-së përmes procedurës së negocuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo kontratë e cila është paraparë të zgjas 3 muaj, është nënshkruar përderisa një tender tjetër në vlerë mbi 7 milionë euro për të njëjtën çështje i hapur nga QKUK në fillim të muajit tetor ishte bllokuar në Gjykatën e tenderëve.

Kontrata në vlerë 462,802 euro, e cila u nënshkrua më 27 tetor 2023 përmes procedurës së negociuar, u lidh me operatorin ekonomik “Laguna SH.P.K”. Kjo kompani kishte kontratë 3-vjeçare me SHSKUK-në për pastrimin e brendshëm të QKUK-së nga viti 2020.

SHSKUK kishte dërguar një letër te Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik më 23 tetor 2023, në të cilën kërkohej leje për përdorimin e procedurës së negocuar. Në letrën e tyre, SHSKUK e arsyeton shpalljen e tenderit përmes procedurës së negociuar.

Ata kanë thënë se ka rrezik për vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve të pastrimit dhe se mungesa e pastrimit, ku përfshihet edhe pastrimi i sallave të operacioneve dhe hapësirave që popullohen nga pacientët me patologji “do të rrezikonte edhe me paraqitjen e infeksioneve brenda-spitalore të cilat mund të rëndojnë apo edhe rrezikojnë shëndetin e pacientëve”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, SHSKUK kanë thënë se edhe përkundër që i kanë kërkuar mendim KRPP-së, nuk kanë marrë përgjigje prej tyre.  Po ashtu, sipas Zyrës së Prokurimit të SHSKUK-së, procedura e negociuar që është përdorur në tenderin për pastrimin e brendshëm të objekteve të QKUK-së, është në harmoni me Ligjin për Prokurimin Publik.

Nga SHSKUK kanë thënë se kjo procedurë u përdor sepse në tenderin e hapur për këto shërbime pati ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Gjithashtu, ata kanë thënë se kontrata që është nënshkruar përmes procedurës së negociuar do të ndërpritet automatikisht në momentin që hyn në fuqi kontrata me procedurë të hapur.

Autoriteti Kontraktues ka shpallur tender me procedurë të hapur të prokurimit për shërbimet e pastrimit të QKUK-së,  për tri vitet ardhshme mirëpo gjatë zhvillimit të kësaj procedure ka pas ankesa nga Operatorët Ekonomik në OSHP dhe lënda është duke u trajtuar nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së. Për arsyet e cekura më lartë AK-SHSKUK, ka qenë e obliguar që të zhvilloj procedurë të negociuar  për tre muaj dhe të nënshkruaj kontratë, në kushtet e veçanta është shënuar një paragraf që përcakton se nëse hyn në fuqi kontrata me procedurë të hapur kontrata aktuale ndërpritet në mënyrë automatike” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e SHSKUK-së.

Dy ditë pas nënshkrimit të kontratës përmes procedurës së negociuar, më 29 tetor 2023, në Gjykatën e tenderëve është dorëzuar ankesë nga operatori ekonomik “Krasniqi SH.P.K” për tenderin i cili ishte shpallur përmes procedurës së hapur.

Tenderi me procedurë të hapur – nga incimi deri tek ankesa në “Gjykatën e Tenderëve”

Tenderi “Pastrimi i hapësirave të brendshme, të objekteve të QKUK-së” me vlerë të parashikuar mbi 7.1. milionë euro ishte shpallur nga QKUK më 5 tetor 2023. QKUK kishte refuzuar tri kërkesa për rishqyrtim, dy me 26 tetor dhe një më 30 tetor. 

Më 29 tetor 2023, “Krasniqi SH.P.K” u ankua në Gjykatën e tenderëve me pretendimin se kërkesa e AK-së për të pasur një punëtor të kualifikuar për sanitari apo diçka të ngjashme është në kundërshtim me këtë procedurë pasi që ky tender ka të bëjë vetëm me pastrimin e brendshëm të objekteve dhe jo edhe sanitari.

Pretendimi tjetër i kësaj kompanie ka të bëj me tri ISO standarde të kërkuara në dosjen e tenderit. Sipas kësaj kompanie këto kërkesa janë diskriminuese dhe krijojnë monopol.

Sa i përket menaxhimit të mbeturinave medicinale, OE për pastrim te brendshem, nuk merret me menaxhimin e tyre, pasi që Autoriteti Kontraktues ka njësinë e posaçme të infermierisë dhe shërbimeve teknike për trajtimin e mbeturinave medicinale. Më pas po e theksojmë se në ketë aktivitet të prokurimit nuk kemi të bëjmë me mjedis, pasi që ky aktivitet i dedikohet pastrimit të sipërfaqeve të brendshme. Pra kjo kërkesë është në kundërshtim me ligjin dhe si e tillë duhet të largohet nga kriteret e përzgjedhjes” – thuhet mes tjerash në ankesë.

Pretendimi i tjetër i kompanisë “Krasniqi SH.P.K” është se kërkesa për të angazhuar të gjithë punëtorët në shërbimet e pastrimit në muajt e fundit në QKUK, është e paligjshme. Sipas tyre, Autoriteti Kontraktues nuk mund të obligojë marrjen e këtyre punëtorëve në punë.

Kjo ankesë është ende në procedurë në Gjykatën e tenderëve.