Ndërpritet greva e punëtorëve të ‘Pastrimi’, iu rriten pagat

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Pastrimi’ kanë ndërprerë grevën e filluar të hënën, pasi që menaxhment i kompanisë ka marrë vendim që të iu rrisë pagat për 70 euro dhe për një kategori tjetër 59 euro.

Përmes një njoftimi për media, ‘Pastrimi’ ka bërë të ditur se marrëveshja për ndërprerjen e grevës është arritur me përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve të kësaj kompanie.

“Si rezultat, Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi” në mbledhjen e jashtëzakonshme të tij, mori vendim për rritjen e pagave të punëtorëve” – thuhet në njoftim.

Sipas vendimit, rritja e pagës në shumën prej 70 euro është bërë për pesë kategori të punëtorëve që paga minimale e këtyre kategorive ka qenë 330 euro, ndërsa maksimalja 389 euro. Kurse prej 59 eurove për një kategori, të cilët deri më tani pagën e kanë pasur 411 euro.

Punëtorët e ‘Pastrimi’ kishin hyrë nga dita e hënë në grevë, pasi kërkesa e tyre për rritje të pagës për 70 euro fillimisht nuk ishte pranuar nga bordi i kompanisë.

Në janar të vitit 2023, Komuna e Prishtinës kishte ndarë 100 mijë euro për KRM ‘Pastrimi’, pasi këta të fundit kishin borxh në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).